Lajme

Jasharët s’e duan postin e Presidentit/ Analistët: Osmani e Haradinaj mund të jenë kandidatë – opsion edhe zgjedhjet

02/25/2026 22:03
nga:G B

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kosova duhet ta zgjedhë presidentin deri më 4 mars, mirëpo situata lidhur me këtë është shumë e paqartë.

Sot, zv/kryeministri i parë, Glauk Konjufca, deklaroi se një kandidat nga familja Jashari do të ishte konsensual për të gjithë.

“Pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari. Nuk mund të flas për këtë gjë. Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.

E, lidhur me këtë, sot u deklarua Murat Jashari, emri i të cilit është përfolur për president.

Ai mohoi të ketë ambicie për këtë post, teksa tha se familja Jashari është e të gjithë shqiptarëve dhe nuk mund ta fusë emrin e saj në kalkulime politike.

“Më shumë se gjithçka si Murat, është emri i Familjes Jashari. Është barrë e madhe mbi supe, dhe unë nuk e kam të drejtën as morale as profesionale emrin e familjes Jashari për poste publike. Unë kam detyrë…prandaj edhe skam dal mu prononcu. Emri i im sa i përket kësaj çështje vjen në vazhdimësi, është përmend sa herë që ka ardhë në pikëpyetje presidenti. E kam sqaru që s’kam ambicie politike. Familja Jashari ju takon të gjithë shqiptarëve…në mes të qenurit në pozita publike dhe profesionit që kam, unë zgjedh këtë që kam…runa zot naj lufte civile apo rreziku të madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë, atëherë kush jam unë mos me sakrifiku për këtë vend. Ama jo me keqpërdorë emrin e familjes Jashari”, tha Jashari.

Lidhur me këtë, analistët kanë dhënë mendimet e tyre.

Analisti politik, Halil Matoshi, për Gazeta Blic tha se dikush nga familja Jashari do të krijonte konsensus por që se di nëse Kurtit i duhet ky konsensus, teksa ai nuk dëshiron një mandat të dytë për Vjosa Osmanin.

“E vërtetë që Murat Jashari ose edhe Bekimi ose Bashkimi kishin me kriju konsensus të gjerë, porse a i duhet ky konsensus Albin Kurtit. Duket se ai mbetet ideologjikisht i pandryshuar dhe eliminimi i Vjosa Osmanit nga mandati i dytë konsiston me frikën e tij se vendi mund të marrë drejtim të djathtë”, ka thënë ai.

Sipas Matoshit, do të ishte reale që Osmani të kandidohej nga shumica, ndërsa opozita ta kandidonte Ramush Haradinajn.

“Reale do të ishte që shumica ta kandidonte Zonjën Osmani e opozita Ramush Haradinajn. Do të ishte garë demokratike dhe e vërtetë”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.

Mirëpo, ai nuk e përjashton as mundësinë e zgjedhjeve.

“Opsion real mbeten zgjedhjet e reja të parakohshme në prill”, ka deklaruar Halil Matoshi.

Ndërsa, analisti politik, Avni Arifi, ka thënë për Gazeta Blic se Konjufca më mirë të tregojë nëse i kanë bërë ofertë dikujt nga familja Jashari dhe a kanë marrë përgjigje nga ta.

“Glauku i takon partisë që qeverisë. Sa na tregon se a është konsensual apo jo, më mirë le të na tregojnë se a i kanë bërë ofertë dikujt nga familja Jashari dhe a kanë ndonjë përgjigje nga ta e jo të zvarrisin emrat e tyre nëpër portale”, është shprehur ai.

Sipas Arifit, i gjithë procesi është shumë jo transparent dhe mund të ketë skenarë të ndryshëm, që të bëhet Osmani presidente apo vendi të shkojë në zgjedhje.

“Është proces krejt jo transparent me skenar lloj-lloj të mundshëm, pra edhe në moment të fundit ta bëjnë Vjosa Osmanin presidente, edhe të shkojnë prapë në zgjedhje, me faj të partive PDK e LDK”, ka deklaruar Avni Arifi./Gazeta Blic/

 

Murat Jashari mohon se po synon postin e Presidentit: Do të pranoja në gjendje të jashtëzakonshme apo luftë civile