Lajme

Jasharaj paralajmëron greva dhe protesta: Nuk do të zëvendësohen orët e humbura

11/21/2021 14:11
nga:Q R

Më 4 dhjetor Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paralajmëruar se do të organizojnë protestë para Qeverisë së Kosovës.

Kështu bëri të ditur për Klankosova.tv kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj.

Jasharaj tha se kërkesat e tyre janë legjitime dhe se duan të bëhen pjesë e grupeve punues për Ligjin e Pagave që është duke u hartuar në ekzekutiv.

“Kërkesat tona janë legjitime. Udhëheqësit e Këshillave të Prindërve janë duke u kontaktuar dhe me 4 dhjetor po përgaditemi që të kemi një protestë para Qeverisë. Është e shtunë, në mënyrë simbolike, pra, për t’i treguar opinionit se s’jemi për ta humbur mësimin, por me dëshirën më të madhe që edhe kryetarët e Këshillëve të Prindërve të të gjitha komunave të na bashkohen, në mënyrë që bashkarisht të angazhohemi dhe të vijmë deri te dialogu dhe marrëveshja”.

“Kërkesa jonë kryesore është që ne të jemi pjesë e grupeve punuese për Ligjin e Pagave që kemi informacione se është duke u hartuar në qeveri. Duam të marrim pjesë sepse duam të shohim se mos po preken koeficientët e mësimdhënësve dhe mos po diskriminohen ata në raport me kategoritë e tjera”.

Ai theksoi se nëse kjo nuk realizohet do të thërrasin edhe një protestë më masive më datë 18 dhjetor.

“Do t’i kemi të përfshirë kryetarët e të gjitha shoqatave sindikale nga e tërë Republika e Kosovës, duke përfshirë këtu shoqatat sindikale nëpër çerdhe, shoqatat sindikale të arsimit parauniversitar dhe shoqatat sindikale nga universiteti. Protesta e 18 dhjetorit do të jetë më masive, do të kemi edhe prindër, dhe uroj që të mos shkojmë as deri të protesta e 4 dhjetorit”.

I pari i SBASHK-ut shpreson se Ligji i Pagave do të kalojë duke marrë parasysh edhe kërkesat e sektorit të arsimit.

Por, në të kundërtën ai paralajmëron edhe greva.

Rrahman Jasharaj thotë se nëse vie puna deri tek greva në arsim, orët e humbura të mësimit nuk do të kompensohen.

“Nëse vjen deri të greva, nuk do të zëvendësohen as ditët e as orët e humbura”.

Banorët e Hades në hall nga zhurma e trakave të eskavatorëve