Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), ka zhvilluar protestë sot në shenjë pakënaqësie për mospërmbushjen e kërkesave.
Ata kanë paraqitur disa kërkesa, ndër to kërkesën për rritje pagash dhe për nënshkrimin e kontratës kolektive.
Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po vazhdon të etiketojë krerët e SBASH-kut në vend se të ulet dhe të komunikojë.
“Nagavci del e mundohet të na etiketojë në vend që të dalë dhe të komunikojë me ne paska vazhduar me komunikata se gjoja SBASHK-u po e bën këtë aktivitet për fushata. SBAShK-u nuk është në zgjedhje, ne nuk kërkojmë votë për parlament. Ne jemi zëri i anëtarësisë”, tha ai.
Jasharaj tha se nuk e përjashton grevën e përgjithshme, dhe po ndodhi kjo fajin kryesor e ka Qeveria Kurti.
“Zonja Nagavci asnjëherë nuk foli për arsimin. Ne jemi për dialog. Fajtori numër një është Kurti, numër dy Ministri Murati i dhe numër tre Minsitrja Nagavci. Unë nuk mund të përjashtoj grevën e përgjithshme dhe po ndodhi kjo fajet i ka Kurti dhe Qeveria e tij. I lutem edhe Qeverisë edhe Kurtit edhe Zotit që kurrë më mos të përsëritet shtatori i vitit 2022”, tha Jasharaj.