Lajme

Jasharaj, Kurtit: Kryeministër po ta dëgjoje zërin tonë, nuk do ta prishje zërin tënd

01/15/2025 13:46
nga:G C

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka reaguar ndaj Kryeministrit duke e akuzuar për përdorimin e toneve të larta dhe nervozizëm në fushatën e tij, raporton GazetaBlic.

Ai theksoi se Kryeministri po humbet mundësinë për të adresuar kërkesat legjitime të sektorit publik, përfshirë punëtorët arsimorë, policët dhe pensionistët, duke kritikuar qasjen e gabuar të qeverisë.

Jasharaj i sugjeroi Kryeministrit që të zëvendësojë dikë për tubime, pasi po rrezikon të mbetet pa zë gjatë fushatës për shkak të mungesës së arritjeve konkrete dhe dialogut me përfaqësuesit e grupeve të ndryshme.

E plotë:

Kryeministër po ta dëgjoje zërin tonë, nuk do ta prishje zërin tënd

Kryeministër në takimet me elektoratin tuaj po bërtisni shumë dhe deri në fund të fushatës është rrezik të mbeteni krejt pa zë dhe kjo nuk është mirë. Njeriu bërtet shumë vetëm atëherë kur është i mllefosur e nervoz dhe ju e dini pse jeni. Ti vazhdo me bërtimat, por unë po ta kujtoj se po ta dëgjoje për këto katër vite të

Qeverisjes zërin tonë , pra të punëtorëve arsimorë, të policëve, administratës, zjarrfikësve , pensionistëve dhe qytetarëve plot halle, atëherë do ta ruaje zërin tënd në fushatë sepse në mënyrë të qetë e pa nervozë do të numëroje plotësimin e kërkesave legjitime të punëtorëve në sektorin publik dhe do të flisje edhe për arritjet në gjithë sferat e jetës, por në mungesë të kësaj ti s’ke çka bën tjetër përveç se të bërtasish . Ti dhe Qeveria duke pasur qasje të gabuar e armiqësore ndaj gjithë atyre që nuk të duartrokitnin kot , le që nuk komunikove me përfaqësuesit e punëtorëve e pensionistëve , por , si për inat, veprove në të kundërtën a asaj që ata kërkonin me të drejtë.

Ti Kryeministër është mirë t’i thuash dikujt nga partia të të zëvendësoj bile në dy a tri tubime se kështu si po bërtet do të mbetesh krejt pa zë në gjysmë të fushatës se janë edhe do ditë deri të dita e zgjedhjeve. Por, ta kuptoj hallin se ndoshta edhe nuk ke kujt t’ia besosh këtë detyrë se ata ose do të mundohen të të kopjojnë e të bërtasin , ose të nisin e të këndojnë siç bëri ministrja Nagavci. Ajo, mbase duke u frikësuar se ministre nuk do të zgjidhet kurrë më, ka dashur të provojë se mos po merr popullaritet si këngëtare.