Lajme

Jasharaj: Kam frikë se do të na përsëritet viti 2022 i grevave – Qeveria Kurti ka tendencë t’i shuajë sindikatat

04/18/2024 09:14
nga:G B

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk kanë shumë pritje nga Qeveria Kurti për kërkesat që do t’i paraqesin në protestën e 1 majit.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se kjo qeveri ka instaluar një praktikë të gabueshme ndaj sindikatave dhe se ndaj tyre nuk kanë pushuar sulmet që nga greva e vitit 2022 dhe se sipas tij ka tendenca që t’i shuajnë sindikatat.

“Nëse bazohemi në praktikën e deritanishme nuk presim shumë, ngasë Qeveria Kurti ka instaluar një praktikë të gabueshme ndaj sindikatave, ndaj dialogut por jo vetëm ndaj nesh, edhe ndaj të tjerëve dhe kushdo që e ngrit zërin për ta thënë një fjalë ndryshe ata e shohin si kundërshtar. Kjo ka ndodhur edhe me sindikatat, që nga greva e vitit 2022 nuk kanë pushuar sulmet dhe tendencat për t’i shuar në tërësi sindikatat”, thotë ai.

Jasharaj përmend ministrin Murati që ka tentuar ta bëjë këtë përmes faktit që të gjithë anëtarët e sindikatave duhet të regjistrohen në e-Kosova.

“Këtu në radhë të parë është dëshmuar për të keq ministri Hekuran Murati, duke e fshirë në tërësi anëtarësinë e të gjitha sindikatave e duke paraqitur kusht që kush dëshiron të jetë anëtar i një sindikate duhet të regjistrohet në platformën e-Kosova, që për botën e civilizuar është vlerësuar si një tendencë që sindikatat a janë të punëtorëve apo të qeverisë, pasi qeveria e menaxhon platformën dhe krejt gjërat, lëvizjet brenda sindikatave i di por nuk i dimë ne dhe fatkeqësisht edhe po ndodhi ndonjë rast, ndonjë punëtor e shkel etikën ose ligjin, ne kot e përjashtojmë sepse është i regjistruar në e-Kosova”, thekson ai për Gazeta Blic.

Kreu i SBASHK-ut thotë se presin që të dëgjohet zëri i tyre në këtë protestë, teksa shpreh frikën që të përsëritet situatat e vitit 2022 i grevave, derisa bën thirrje që këtë mos ta lejojnë Qeveria dhe ministrja Nagavci.

“Ne presim që kjo protestë të jetë modeste por presim që ta ketë zërin dhe Qeveria ta kuptojë dhe të angazhohet dhe apeloj që të angazhohet sepse nuk i dihet pastaj çfarë do të jenë kërkesat e anëtarësisë tonë dhe sindikatave tjera dhe kam frikë se po na përsëritet viti 2022, ku filluam me protesta të vogla dhe pastaj u bënë me masive ku me 20 maj ishte protesta me 18 mijë njerëz e cila nuk bëri jehonë te qeveria dhe më pas ndodhi greva për 1 muaj, ku i gjithë sistemi arsimor u bllokua. Uroj që zonja Nagavci dhe të tjerët mos ta lejojnë këtë dhe ata e kanë vetëm një detyrë të lehtë për ta bërë, që të japin hapësirë për dialog, që të ulemi t’ua tregojmë shqetësimet, kërkesat”, deklaron ai./Gazeta Blic/