Lajme

Jasharaj: Ka pakënaqësi të mëdha në sistemin arsimor, Nagavci mos të çuditet kur do të ketë kërkesa për greva!

05/24/2024 08:47
nga:Y I

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) Rrahman Jasharaj, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me ikjet e mësimdhënësve nga sistemi arsimor pas liberalizimit të vizave.

Ai tha se ka një numër të lartë të tyre që po kërkojnë pushim pa pagesë për t’u larguar jashtë vendit dhe gjetur punë.

Jasharaj foli edhe për mundësinë e mbajtjes së një greve pasi nuk po merren parasysh kërkesat e tyre nga ministrja Nagavci dhe kryeminsitri Kurti.

Ai tha se do të bëjë çfarë është e mundur që mos të dëmtohet ky vit shkollor por nuk premtoi se do të ndodhë e njëjta gjë vitin që vjen.

“Në takimet dhe vizitat që i kam me mësimdhënësit shihet që ende e kam respektin e tyre dhe do t’i lus si shokë dhe kolegë që të mos e dëmtojmë  me ndonjë grevë më të gjatë këtë vit shkollor. Por çfarë do të ndodhë me vitin e ardhshëm shkollor unë nuk mund të flas sot. A ka pakënaqësi?-Unë mund t’iu them se pakënaqësitë janë shumë të mëdha jo vetëm e Ligjin e Pagave por me trajtimin dhe presionet që i bëhen mësimdhënësit, me do tendenca për një kontratë të ashtuquajtur të punës edhe pse mësimdhënësit e kanë kontratën e punës me kohë të pacaktuar. Bëhen disa tendenca për t’i goditur dhe pastaj zonja Nagavci mos të çuditet kur ka kërkesa për të ikur nga sistemi arsimor dhe mos të çuditet kur do të ketë kërkesa për greva më të gjata. Çuditërisht zonja Nagavci por edhe zoti Kurti e Murati duket se nuk kanë kuptuar asgjë nga greva që zgjati më shumë se një muaj në vitin 2022” deklaroi Jasharaj për “Gazeta Blic”.