Qeveria japoneze iu afrua më shumë rritjes së dënimit penal ekzistues për fyerjet në internet, me një ndryshim të propozuar në kodin penal të Japonisë, që kaloi një seancë plenare të dhomës së lartë, sipas Kyodo News.
Dënimi aktual për fyerjen e dikujt në Japoni është më pak se 30 ditë burg dhe një gjobë deri në 10 mijë jen, afërsisht 75 dollarë.
Ligji i ri do të rriste dënimin në jo më shumë se një vit burg dhe një gjobë deri në 300 mijë jen, afërsisht dymijë e 200 dollarë. Ai gjithashtu do të zgjaste parashkrimin nga një vit në tre vjet.
Mbështetja për ndryshimin e ligjit, filloi të krijohej në Japoni pas vetëvrasjes së 22-vjeçares profesioniste dhe yllit të reality show, Hana Kimura, e cila vrau veten në maj 2020, pasi u ngacmua në internet.
Ajo mori qindra komente në rrjetet sociale, duke përfshirë disa që e inkurajuan në
mënyrë eksplicite të bënte vetëvrasje.
Autoritetet akuzuan dy burra në Japoni për fyerje të Kimurës në internet. Dy burrat morën secili gjobë prej nëntëmijë jen, rreth 68 dollarë, sipas Kyodo News.
Mbështetësit e Kimura-s dhe familjes së saj, menduan se dënimi i meshkujve ishte shumë i butë. Zyrtarët japonezë u zotuan të avancojnë legjislacionin që trajton këtë çështje jo shumë kohë pas vdekjes së saj, sipas CNN.
Propozimi për të rritur dënimin penal për fyerje nxiti debat në qeveri mbi tensionin midis fjalës së lirë dhe gjuhës fyese.