Sporti

Jan Mocnik motivon ish skuadrën para ndeshjes me Trepçën: Forca Peja, uroj që ta fitoni titullin

05/16/2023 12:39
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Trepçës dhe ajo e Pejës do të përballen të enjten në ndeshjen vendimtare për titullin kampion.

Nga 4 takimet e zhvilluara deri më tash, të dy skuadrat kanë siguruar nga dy fitore, me ndeshjen e pestë në ‘Minatori’ që do të vendosë për skuadrën kampione.

Ndeshja e fundit në palestrën ‘Karagaçi’ ishte një ndeshje dramatike, me vendasit nga Peja që fituan dhe e dërguan çështjen e titullit për t’u vendosur në ndeshjen e fundit.

Në ditët e fundit, në numër të madh janë mobilizuar nga të dyja kampet për t’i mbështetur skuadrat e tyre, duke dashur që sado pak të ndihmojnë në krijimin e një atmosfere pozitive.

Jan Mocnik është njëri nga basketbollistët më të mirë të huaj që ka luajtur tek Peja, duke mbrojtur ngjyrat e kësaj skuadre në vitin 2014.

Nëpërmjet një mesazhi për ‘GazetaBlic Sport’, ai i ka motivuar basketbollistët e ish klubit të tij, duke uruar fat dhe suksese ndaj ‘Xehtarëve’ nga Mitrovica.

‘Një përshëndetje e veçantë për skuadrën e Pejës dhe për tifozët e saj. Ju dëshiroj fat dhe suksese në ndeshjen e fundit. Uroj që të fitoni! Forca Peja, tha Mocnik me mesazhin e tij para këtij takimi.

/GazetaBlic Sport/