Lajme

“Jam i tmerruar”, Tahiri për Projektligjin për Zyrtarët Publikë: Sulm ndaj administratës shtetërore

08/17/2022 22:24
nga:G B

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i tmerruar ndaj Projektligjit të ri për Zyrtarët Publikë, pas procedimit nga Qeveria, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë provizionet parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike dhe ky projektligj është sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil pa përjashtim.

Ai ka thënë se ky ligj nuk duhet të kalojë assesi.

Postimi i tij i plotë:

Duke e lexuar Projektligjin e ri për Zyrtarët Publik, jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike.

Ky Projektligj qenka një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil pa përjashtim. Është kundër gjithçkaje që është arritur me BE-në dhe Sigma me reforma në dekadën e fundit.

Projektligji i ri për Zyrtarët Publik, respektivisht Neni 46, Neni 66 dhe Neni 98 te dispozitat kalimtare janë qartazi nene kundërkushtetuese, që në esencë janë fshesë e hekurt kundër menaxhmentit drejtues të administratës shtetërore.

Ky Ligj nuk duhet të kalojë, assesi!