Cult

“Jam HIV-pozitiv prej 14 vitesh”, aktori i famshëm zbulon të vërtetën e tij të errët

05/20/2021 13:56
nga:G C

Ylli i “Pose”, Billy Porter, në një rrëfim shumë të ndjerë, ka zbuluar së fundmi se prej 14 vitesh jeton në fshehtësi me virusin HIV. Në një intervistë për “The Hollywood Reporter”, aktori ka treguar se për herë të parë ai është diagnostikuar me virusin e rrezikshëm 14 vite më parë. Billy Porter ka rrëfyer se në vitin 2007 jeta e tij mori një tjetër drejtim, pasi ai u diagnostikua me diabet të tipit II dhe me HIV.

Ai ka treguar se këtë gjë e ka mbajtur të fshehtë nga nëna e tij, po ashtu edhe nga bashkëpunëtorët e serialit “Pose”, në të cilin ka pasur rolin e një personazhi të infektuar me HIV/AIDS.

“Pose ishte një mundësi në të cilën unë mund të punoja me turpin nga HIV. Dhe më e bukura e Pray Tell ishte se unë kisha mundësinë të thosha gjithçka që doja të thosha përmes një personazhi”, është shprehur aktori.

Ai ka treguar se e ka mbajtur të fshehtë gjendjen e tij, që nga momenti i diagnostikimit, për shkak të ndjenjës së turpit, pasi është rritur në një familje fetare, që sëmundjen e tij mund ta shikonte si një “ndëshkim nga Zoti”.

“Turpi i asaj kohe u bashkua me turpin që ishte akumuluar në jetën time dhe kjo më bëri të jetoja me këtë turp për 14 vite. HIV-pozitiv, andej nga vij unë dhe ku jam rritur, shikohet si ndëshkim i Zotit”, është shprehur aktori.

Ai ka treguar se gjatë pandemisë vendosi t’i tregonte gjithçka nënës së tij.

“E ke mbajtur këtë gjë të fshehtë për 14 vite? Mos e bëj më. Unë jam nëna jote dhe të dua pavarësisht gjithçkaje. E di që më parë nuk do të kuptoja, por kanë kaluar dekada tashmë”, është shprehur Billy Porter duke kujtuar fjalët e nënës së tij.

“Dhe është e vërtetë. Është turpi im. Duke jetuar me trauma të bën të ndihesh i frikësuar. Por e vërteta të bën të ndihesh i lirë. Zemra ime është çliruar. M’u duk sikur dikush ma kishte mbajtur zemrën shtrënguar për shumë vite dhe tashmë ka ikur”, ka thënë ai.

Aktori ka shtuar se falë zhvillimit të mjekësisë ai ka nivele gati të pazbulueshme të virusit në trup dhe se prandaj ishte i gatshëm që t’i tregonte hapur botës të vërtetën e tij.

“Unë mbijetova, prandaj mund ta tregoj historinë. Për këtë jam këtu. Është koha të rritem dhe të ecë përpara sepse turpi është shkatërrues dhe nëse nuk ja del mbanë me të, mund të shkatërroj gjithçka në rrugën e tij”, ka thënë Billy Porter.