Naim Jakaj hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale.
Ai tha se caktimi i pagës minimale është i mirëseardhur, mirëpo duhet parë siç thotë ai, dy çështje.
“Fillimisht, duhet të themi se vendimi i Qeverisë për caktimin e pagës minimale është vendim i mirëseardhur, por duhet parë dy çështje, nëse është respektuar ligji, nëse janë mbajtur konsultimet me Këshillin Ekonomiko Social, nëse ka vlerësim të saktë mbi parametrat mbi caktimin shumës së pagësminimale. Së dyti, duhet sqaruar se paga mimimale në shumën prej 264 nuk ka qenë e përcaktuar asnjëherë, vetëm se ka qenë propozim i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në vitin 2022, shumë për të cilën sindikatat nuk u patën pajtuar. Deri në momentin e rritjes në 350 euro, paga minimale në Kosovë ka qenë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro përpunëtorët deri në 65 vjeç, tashmë ky vendim është shfuqizuar”, deklaroi ai.
“Një vendim i Qeverisë edhe pa u dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, sepse përmes Ligjit për Pagën Minimale të miratuar në korrik të vitit 2023, kompetente për ta miratuar pagën minimale për secilin vit kalendarik është Qeveria e Kosovës. Për mënyrën e vendimmarrjes dhe caktimin e shumës, Kuvendi nuk e ka asnjë autorizim sipas ligjit të miratuar, përveç që Kuvendi mund të ushtrojë mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji”, vazhdoi tutje ai.
Tutje, ai tha se Ligji për Pagën Minimale përcakton qartë se rishikimi dhe përcaktimi i pagës minimale duhet të bëhet në fund të çdo viti kalendarik në përputhje me propozimin e Këshillit Ekonomik dhe Social, dhe sipas tij në rast se shmanget kjo procedurë, vendimi i Qeverisë mund të konsiderohet i paligjshëm.
“Ligji për Pagën Minimale përcakton qartë se rishikimi dhe përcaktimi i pagës minimale duhet të bëhet në fund të çdo viti kalendarik në përputhje me propozimin e Këshillit Ekonomik dhe Social (KES). Në rast se KES-i nuk paraqet një propozim të tillë, Ministri i Financave, pas informimit të Këshillit Ekonomikdhe Social, ka mundësinë të paraqesë një propozim të ri për Qeverinë e Republikës së Kosovës.Nëse është shmangur kjo procedurë, vendimi i Qeverisë mund të konsiderohet i paligjshëm, pasi nuk respekton ligjin që vetë Qeveria e ka propozuar dhe që Kuvendi e ka miratuar. Për më tepër, shuma e propozuar prej 350 euro nuk është nënshtruar konsultimeve publike në Platformën Online të Konsultimeve Publike, një detyrim që Qeveria e ka sipas Rregullores së Punës së saj.
Jakaj tha se çdo ndryshim në politikën e pagës minimale ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qindra mijëra punëtorëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
“Kjo mungesë e konsultimeve mund të cënojë transparencën dhe legjitimitetin e vendimeve të marra. Përveç kësaj, është e rëndësishme të theksohet se çdo ndryshim në politikën e pagës minimale ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qindra mijëra punëtorëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Ndaj, procesi i vendimmarrjes duhet të jetë gjithë përfshirës dhe i bazuar në analiza të hollësishme dhe konsultime të gjera me të gjitha palët e interesuara”, theksoi ai.
“Ligji për Pagën Minimale, kur flet për mungesën e një propozimi për shumën e pagës minimale, presupozon që mungesa e propozimit evidentohet me faktin që në Këshillin Ekonomiko-Social ka pasur mungesë të konsensusit për një shumë të caktuar, rrjedhimisht nuk ka propozim të pagës minimale në drejtim të Qeverisë. Mungesa e një propozimi të tillë bën që Ministri i Financave, ta informojë KES-in, e pastaj ai mund të bëjë një propozim në Qeveri. Por, Ligji në fjalë nuk e përjashton tërësisht KES-in, ku fillimisht kërkohet propozimi i KES dhe vetëm në mungesë të tij atëherë ipet alternativa tjetër. Në këtë situatë, nuk mund të konstatojmë se sipas Ligjit, KES është jashtë procedurës për përcaktimin e pagës minimale”, potencoi tutje hulumutuesi i IKD-së.
Sipas Jakajt, Këshilli Ekonomiko-Social nuk mund të trajtohet si inekzistent, sepse këtë nuk e bënë Ligji në fuqi.
“Por, në rastin e tanishëm, mandati i KES-it ka skaduar me 18 prill të vitit 2023, rrjedhimisht nuk ka mundur të ketë propozim nga KES-i, përderisa konstituimi i këtij organi të rëndësishëm varet nga shpallja publike e konkursit, që sipas Ligjit për KES-in, përgjegjëse është vet Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, procedurë të cilën nuk e ka bërë edhe pas kërkesa vetë shumta të sindikatave në Kosovë. Kështu, përderisa Ligji i referohet “fundit të vitit kalendarik”, fillimisht do duhej të konsolidohej KES e më pastaj të tentohej të gjindej konsensus brenda KES dhe vetëm nëse kjo nuk ekziston, atëherë kalojmë në alternativën që jep Ligji. Mirëpo, KES nuk mund të trajtohet si inekzistent, pasi këtë nuk e bënë Ligji në fuqi”, u shpreh ai.
“Sipas nenit 10.2. të Ligjit për Konfliktet Administrative përcakton se “Organi i administratës, Avokati i Popullit, shoqatatdhe organizatat e tjera, të cilat veprojnë në mbrojtje të interesavepublike mund të fillojnë konfliktin administrativ”. Kështu, në rastin konkret, vendimi mund të kontestohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative nga ana e Avokatit të Popullit, shoqatave sindikale apo organizatave të tjera që veprojnë në mbrojtje të interesave publike. Padia mund të inicohet brenda afatit prej 30 ditëve që nga data e publikimit të aktit administrativ përfundimtar palës”, përfundoi hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj.
/GazetaBlic/