Ish presidentja Atifete Jahjaga ka reaguar e shokuar për rastin e dhunimit të një vajze 11 vjeçare nga pesë persona në Prishtinë, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë thirrje ndaj organeve të drejtësisë që t’i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës, e cila ka nevojë më shumë se kurrë më parë ta shoh që shteti është aty për të.
Postimi i saj i plotë:
E shokuar nga dhunimi seksual i një vajze 11 vjeçare në Kosovë.
Në atë moshë, kur vajza duhet të jetë duke e krijuar imazhin e saj për botën ideale, një sulm i tillë i lë pasoja të paimagjinueshme, me të cilat kjo vajzë, viktima më e fundit e një sulmi seksual, duhet të jetojë përgjithmonë.
Andaj, i bëj thirrje organeve të drejtësisë që t’i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës, e cila ka nevojë më shumë se kurrë më parë ta shoh që shteti është aty për të.
Shoqëria jonë duhet t’i dënojë ashpër veprimet e tilla, si dhe të gjithë ne kolektivisht duhet të punojmë që viktimave tu japim gjithë mbështetjen e nevojshme.
Aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës, kemi mjaft plagë të hapura. Dhuna ndaj grave e vajzave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë!


