Sporti

Jaap Stam ekskluzivisht për GazetaBlic Sport: Nder që luajta tek Milani, nuk harrohet finalja e Stambollit – turp që s’i dhanë kohë Maldinit

06/27/2023 17:59
nga:Mergim Rreci

Cilësi, stabilitet, fizik, potencë, agresivitet, këto janë disa nga fjalët që mund ta përshkruajnë njërin ndër mbrojtësit më të mirë në histori të futbollit, Jaap Stam.

I lindur në Holandë në vitin 1972, Stam kishte dhënë sinjale që nga fëmijëria e tij se do të jetë një kampion i fushave të blerta, në veçanti, një futbollist që nuk dorëzohet asesi në fushë, në raste edhe me lëndime të mëdha.

Stam ka luajtur për disa klube evropiane, duke përfshirë PSV Eindhoven, Manchester United, Lazio, Milan dhe Ajax përpara se të pensionohej në tetor 2007, por duhet cekur që skuadra e Milanit ka mbetur thellë në kujtimet e tij të bukura.

Mbrojtësi holandez ishte karizamtik në fushë, shumë i vendosur, shumë i ashpër, por edhe shumë motivues për bashkëlojtarët e tij, aq sa e luante në raste edhe rolin e trajnerit brenda fushës.

Përveç trofeve të ndryshëm me klubet, ai fitoi disa çmime personale, duke përfshirë votimin si mbrojtësi më i mirë në 1998–99 dhe 1999– 2000 UEFA Champions League, si dhe u përfshi në tre sezone radhazi ‘PFA Ekipi i Vitit’ nga 1999 deri në 2002.

Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’, Jaap Stam është deklaruar për kohën e tij të ‘artë’ në futboll, me theks transferimin tek Milani në vitin 2004.

Holandezi e kujton me nostalgji momentin kur u transferua tek ‘Rossonerët’, duke e vlerësuar si hap masiv në karrierën e tij, poashtu kishte fjalë të mëdha edhe për presidentin Silvio Berlucsoni. Aq shumë ishte lidhur me skuadrën italine sa që tha se edhe punëtorët që ishin të angazhur në stadium ishin fantastik.

Momenti më i mirë për mua tek Milani ishte vet transferimi tek klubi. Ka qenë një hap masiv që të transferohem tek Milani në fund të karrierës sime, sepse është një klub me shumë histori, drejtues fantastik. Presidenti Berlusconi në atë kohë ishte kryetar i klubit, ishte njeri i madh, kishte ide të mrekullueshme për ta rritur klubin. U transferova tek një skuadër ku kishte shumë lojtarë të mirë, lojtarë që e kanë dëshmuar veten për shumë vite, kishin fituar shumë tituj, por sërish ishin modest dhe të etur për të bërë akoma më shumë dhe ta bëja këtë në fund të karrierës ishte një vendim i madh nga unë që të kaloja tek ky klub dhe të punoja me këta njerëz që ishin aty, poashtu edhe njerëzit që punonin në stadium ishin fantastik”, tha fillimisht ai.

Stam nuk e harron asnjëherë ‘makthin’ e Stambollit, duke kujtuar ndeshjen historike të vitit 2005 mes Milanit dhe Liverpol në finalen e Ligës së Kampionëve, atje ku Milani e lëshoi fitoren nga duart.

“Kur unë isha atje, Milani ishte një nga klubet më të mëdha në botë dhe për mua ishte një gjë e madhe që të jem aty. Për mua momentet më të mira ishin që të jem pjesë e këtij klubi të madh, fatkeqësisht nuk e fituam Ligën e Kampionëve ndaj Liverpoolit, gjë që ishte ndeshje historike poashtu, shumë e keqe për ne në atë kohë (2005), por ishte kënaqësi që të luajë dhe të punojë për Milanin“, vazhdoi Stam.

Më pas, duke qenë një person që ishte shumë i lidhur me klubin italian, Stam komentoi edhe zhvillimet e fundit tek skuadra italiane, atje ku drejtori Maldini u largua, poashtu edhe një futbollist shumë i rëndësishëm si Sandro Tonali ka kompletuar transferimin tek Newcastle.

Stam tha se shkarkimi i Maldinit është një turp, pasi që ky i fundit punoi shumë me kapacitetet që kishte tek skuadra kuq e zi.

Kështu funksionon. Kur klubi fillon të jetë i suksseshëm pas një kohe të vështirë dhe kthehet në nivele të larta, fiton ligën, pastaj shumë njerëz dhe pronarët duan ta ripërsërisin suksesin, gjë që është e vështirë, sepse duhet të punosh në strukturë që mund ta ndërtosh për shumë vite, nuk është diçka që mund ta bësh çdo vit, pra ta fitosh ligën dhe të jesh i suksesshëm, nëse nuk keni paratë të bleni lojtarët me kualitet special. Struktura duhet të jetë e mirë dhe duhet të jeni të mençur në transferime me lojtarë dhe poashtu t’ia dhurosh drejtorin teknik Maldinit i cili besoi dhe suportoi për shumë vite. Kjo nuk është e lehtë. Por kështu ndodh në futboll, gjë e cila është turp, pasi mendoj se duhet t’i dhurosh njerëzve kohë që ndërtojnë diçka të bukur, por kështu ndodhë”, vazhdoi Stam për ‘GazetaBlic Sport’.

Krejt në fund, Stam u pyet se cili është mbrojtësi më i mirë për momentin në futbollin evropian, me holandezin që tha se nuk ka ndonjë prej tyre që do ta veçonte.

Stam tha se janë disa mbrojtës që po luajnë mirë në Evropë, por asnjë prej tyre nuk bie në sy që ka kualitete më shumë se të tjerët.

Nuk kam mbrojtës të preferuar për momentin, që mund të them se ky është më i miri në botë. Janë disa lojtarë në Evropë që po luajnë mirë, por për momentin nuk ka mbrojtës që bie në sy dhe është mbi të tjerët”, përfundoi Stam me deklaratën e tij.

Menjëherë pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, Stam ka vazhduar me profesionin e trajnerit, duke drejtuar disa skuadra deri më tash.

/GazetaBlic Sport/