Anglia do të mbështetet thuajse nga gjithë tifozeria në “Wembley” kur të zbresin në fushë të martën për duelin e 1/8-ave kundër Gjermanisë.
Federatës Angleze dhe homologëve të tyre gjermanë do t’u vendosen në dispozicion nga UEFA 7-10 mijë bileta secilit për stadiumin që do të ketë 45 mijë tifozë në total atë ditë. Megjithatë, për shkak të kufizimeve të udhëtimit prej pandemisë, Gjermania pritet të pranojë vetëm 2 mijë bileta, të cilave do t’u shiten gjermanëve rezidentë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo do të thotë se pjesën tjetër të biletave ata do ta kthejnë dhe ato do të vendosen në dispozicion të tifozëve që nuk e fituan të drejtën e një bilete. Dhe pjesa më e madhe e këtyre janë tifozë të “Tre Luanëve”, që do të thotë se Garet Sauthgejt do ta ketë më të madhe forcën mbështetëse të lojtarit të 12-të më 29 qershor. “The Times” shkruante se për të ndjekur në stadium ndeshjen më të rëndësishme të Anglisë pas asaj kundër “Pancerave” në gjysmëfinalen e “Euro 1996”, çmimet në tregun e zi po lëvizin me shpejtësi. Tifozët janë paralajmëruar se për të siguruar një biletë do të paguajnë shifra edhe më të larta se 10 mijë paund.


