Personat që përdorin telefonin gjatë vozitjes, pra nëse flasin me dikë në telefon apo bëjnë fotografi dhe video, gjobiten me dyzetë (40) euro nga Policia e Kosovës, për kundërvajtje.
Ditëve të fundit Policia e Kosovës po gjobit shoferë që po shkelin vijën e plotë, me anë të dëshmive që po i dërgojnë shoferët nga veturat e tyre.
Shoferët të cilët janë duke vozitur, po xhirojnë veturat duke thyer rregullat e komunikacionit, mirëpo edhe vet ata po bëjnë thyerje të rregullave të komunikacionit.
Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, Neni 231 Kushtet për drejtimin e mjetit, pika 4 thotë se shoferit të mjetit me veprim motorik gjatë kohës së drejtimit nuk i lejohet përdorimi i telefonit të dorës – mobil, as i pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit. Këto pajisje mund të shfrytëzohen gjatë drejtimit të mjetit nëse përdorimi i tyre bëhet pa i mbajtur me dorë.
Pika 6 e po këtij neni thotë se dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyzet (40) eurosh, shoferi i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafëve 3., 4. ose 5. të këtij neni.
Ndërkaq duhet cekur se vetëm gjatë javës së kaluar nga data 14 qershor deri 20 qershor 2021, për përdorim të telefonit gjatë ngasjes janë sanksionuar 739 shoferë në Kosovë.
Ditë më parë, profesori i Shkencave të Komunikacionit Rrugor, Nol Dedaj, ka folur për fushatën e nisur mes qytetarëve dhe policisë, për denononcimin e shkeljeve të rregullave të trafikut përmes dërgimit të fotografive dhe videove. Por, shumë qytetarë janë shprehur në rrjete sociale se edhe ata që po fotografojnë janë po ashtu shkelës të rregullave, për shkak të përdorimit të telefonit gjatë vozitjes.
Sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, shumica e fotografive dërgohen nga kamerat statike që janë të vendosura në automjete. Teksa shprehet se denoncimi i shkeljeve të rregullave të trafikut përmes fotografive do të ndikojë në rritjen e sigurisë në trafik.
“Fotografimi dhe videot nga qytetarët do të luajë një rol jashtëzakonisht preventiv sa i përket aksidenteve në komunikacion. Po e citoj Ligjin e Policisë, është neni 10 dhe 11, i cili e lejon që dënimet me u përcaktu në bazë të videove dhe fotografive nga vendi i ngjarjes. Ato duhet verifikuar nga organet përkatëse në Policinë e Kosovës, në mënyrë që ato të jenë të vërteta dhe të sigurta. Pastaj shkon edhe dënimi. Këto dënime nuk është Kosova duke i bërë për herë të parë, unë do ta përmend edhe vitet e 60-ta në Holandë, ku ka fillu edhe prej qytetarëve civilë që kanë vendos edhe kamera edhe radarë, për t’i shërbyer policisë për t’i ndërmarrë masat adekuate ndaj shkelësve të ligjit”, tha Dedaj.
Ai tha se policia nuk e di nëse fotografia është bërë duke vozitë shoferi apo ajo.
“Unë nga praktika, si ekspert i komunikacionit, shumica prej vozitësve i kanë të vendosura kamerat në vende të veçanta dhe e kanë aparaturën tjetër për fotografitë që i bëjnë. Të cilët vetëm i klikojnë dhe pastaj i çojnë videot dhe fotografitë. Këta njerëz që i bëjnë fotografitë nuk janë të çmendur që me përdor edhe aparatin fotografik edhe me bë fotografi…Këta nuk munden me u dënu, se polici nuk e di se në çfarë forme e ka fotografu. A e ka fotografu tu vozitë apo jo. Më e rëndësishme është se më shumë ka me lujtë rolin e sigurisë rrugore, sesa që mundet me rreziku komunikacionin rrugor”, tha ai.
Tutje, Dedaj tha se do të bëhen matje nëse kjo fushatë mes qytetarëve dhe policisë do të ndikojë në uljen e aksidenteve, sa i përket ketij viti dhe atyre paraprake.


