Parlamenti i Izraelit ka miratuar një amendament në ligjin kundër terrorizmit të vendit që prezanton “konsumimin e materialeve terroriste” si një vepër të re penale.
Projektligji, i cili u miratua me një shumicë 13-4 në Knesset, është një masë e përkohshme dyvjeçare që ndryshon nenin 24 të ligjit kundër terrorizmit për të ndaluar “konsumimin sistematik dhe të vazhdueshëm të botimeve të një organizate terroriste në rrethana që tregojnë identifikim me organizatën terroriste”.
Ai identifikon grupin palestinez Hamas dhe grupin ISIS si organizatat “terroriste” ndaj të cilave zbatohet vepra penale.
Amendamenti i jep ministrit të drejtësisë autoritetin për të shtuar më shumë organizata në listë, në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me miratimin e Kushtetutës, Ligjit dhe Komitetit të Drejtësisë të Knesset-it.
Vepra penale “konsumimi i materialeve terroriste” dënohet maksimalisht me një vit burg, raporton Aljazeera.
Projektligji thekson se ai synon të trajtojë fenomenin e “terrorizmit të ujkut të vetmuar”, apo radikalizimit të individëve përmes konsumit mediatik.
Grupet e të drejtave të njeriut në Izrael kanë thënë se kjo është e barabartë me policimin e mendimit.
“Ky ligj është një nga masat legjislative më ndërhyrëse dhe drakoniane të miratuara ndonjëherë nga Knesset-i izraelit, pasi ai i bën mendimet objekt ndëshkimi penal”, tha Adalah, Qendra Ligjore për të Drejtat e Pakicave Arabe në Izrael.
Organizata paralajmëroi se amendamenti do të kriminalizonte “madje edhe përdorimin pasiv të mediave sociale” mes një klime mbikëqyrjeje dhe kufizimi të fjalës së lirë që synon qytetarët palestinezë të Izraelit.
Adalah ka thënë se do ta dërgojë një peticion në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar projektligjin.


