Forcat ajrore izraelite sulmuan të shtunën qytetin Rafah në Rripin e Gazës. Sulmi erdhi pasi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të përgatiste një plan për evakuimin e civilëve nga qyteti jugor në kufi me Egjiptin, përpara një operacioni tokësor të pritshëm.
Duke cituar zyrtarë të shëndetësisë dhe dëshmitarë okularë, agjencia e lajmeve ‘Associated Press’, njoftoi se 28 persona u vranë ndërsa sulmet ajrore goditën disa shtëpi në Rafah. Po sipas agjencisë, mes të vdekurve, 10 ishin fëmijë.
Zyra e zotit Netanyahu njoftoi të premten se ushtria ishte urdhëruar të hartonte një plan për të evakuuar civilët nga qyteti, si dhe për të shkatërruar katër batalione të Hamasit, për të cilat tha se ndodheshin në Rafah.
“Është e pamundur të arrihet qëllimi i luftës për eliminimin e Hamasit duke lënë katër batalione të tij në Rafah”, tha zoti Netanyahu në një deklaratë. Ai shtoi se aktiviteti intensiv (i grupit) në qytet, kërkon që civilët të evakuohen nga zonat e luftimit.
Por në deklaratë nuk sqarohej një afat mbi hartimin e planit apo se kur zoti Netanyahu mendonte se do të evakuoheshin më shumë se 1.4 milionë palestinezët që ndodhen aty. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se në Gazë nuk ka më vende të sigurta.
Zoti Netanyahu tha këtë javë se qytetet e Rafahut dhe Khan Younisit janë “dy bastionet e fundit të Hamasit. Grupi është shpallur nga Shtetet e Bashkuara një organizatë terroriste.
Paralajmërimi amerikan
Njoftimi i zoti Netanyahut erdhi disa orë pasi Presidenti Joe Biden lëshoi disa nga kritikat e tij më të forta deri më tani, lidhur me fushatën ushtarake izraelite në Gazë. Gjatë një konference për shtyp të enjten në mbrëmje ai e quajti operacionin ushtarak të Izraelit të ekzagjeruar.
Pentagoni tha të premten se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte biseduar një ditë më parë me homologun e tij izraelit, Yoav Gallant. Në diskutimet mes tyre, shefi amerikan i mbrojtjes “përsëriti nevojën për të mbrojtur civilët ndërsa Izraeli kryen operacionet e tij kundër Hamasit”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, lëshoi gjithashtu një paralajmërim të fortë ndaj Izraelit të enjten, lidhur me operacionet e tij në Rafah.
Zoti Kirby tha se çdo operacion ushtarak që nuk merr parasysh mbrotjen e civilëve do të ishte një fatkeqësi dhe diçka që Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin sikurse u tha ai gazetarëve në Uashington./VOA/