Ushtria izraelite ka arrestuar një drejtor të një prej spitaleve të pakta funksionale në veri të Gazës, teksa sulmet ajrore gjatë natës në këtë enklavë kanë vrarë nëntë persona, përfshirë fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë më 28 dhjetor.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se mjeku Hussam Abu Safiya, drejtor i spitalit Kamal Adwan, u arrestua nga forcat izraelite së bashku dhe dhjetëra pjesëtarë të tjerë të stafit dhe u dërguan në një qendër për marrje në pyetje. Ministria tha se trupat izraelite hyn në spital dhe detyruan shumë pjesëtarë të stafit dhe pacientë që të dilnin jashtë.
Izraeli ende nuk ka komentuar për këtë rast. Por, një ditë më parë mohoi se ka hyrë në spital, megjithatë e pranoi se ka urdhëruar që njerëzit të dilnin jashtë objektit duke thënë se po kryente operacione kundër infrastrukturës së Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe militantëve në atë zonë.
Ushtria izraelite vazhdimisht ka pretenduar se Hamasi operon brenda spitalit Kamal Adwan, por nuk ka ofruar dëshmi. Zyrtarët spitalorë kanë mohuar këto pretendime të Izraelit.
Ky spital është goditur disa herë në tre muajt e fundit nga Izraeli, teksa ushtria e këtij shteti po vazhdon ofensivën në pjesën veriore të Gazës kundër Hamasit. Më herët gjatë javës, zyrtarët spitalorë thanë se nga një sulm ajror u vranë pesë pjesëtarë të stafit.
Në fushatën pothuajse 15-mujore ushtarake të Izraelit, sistemi shëndetësor i Gazës ka pësuar dëme të mëdha. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se bastisja në Kamal Adwan e ka “nxjerr jashtë funksionit” spitalin e fundit të madh funksional në veri të Gazës, duke thënë se “ky terror duhet të marrë fund dhe sistemi shëndetësor duhet të mbrohet”.
Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se pacientët e spitalit janë zhvendosur në një spital aty pranë ku situata “është jashtëzakonisht e vështirë”.
Lufta në Gazë nisi në tetorin e kaluar, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Si pasojë e fushatës ushtarake izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 45.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, dhe janë plagosur më shumë se 108.000 të tjerë.