Lajme

Izmir Zeqiri e gjen të “llomitur” objektin e komunës në Zubin Potok

04/26/2024 19:27
nga:Mergim Rreci

Punën e tij, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tashmë do e vazhdojë brenda objektit të komunës. Sot aty u mbajt mbledhja e parë.

“Mund të them që sot nuk është hera e parë, por ndoshta sot ka më publicitet që kam ardhur këtu, por këtu kam qenë edhe përpara. Por, sot e kishim një seancë të Kuvendit të Komunës në bashkëpunim me kryesuesin, u dakorduam që të jetë sa më emergjente për shkak të themelimit të një Komisionit të pranimit fizik të objektit, ajo ishte arsyeja që ishte një seancë më emergjente”.

Ai tutje tregoi se disa nga zyret kanë hyrë në funksion, përfshirë ajo që aty lëshohet letërnjoftimi, pasaporta dhe bëhet regjistrimi i veturave, dhe se aty punohet me dy ekipe, një që punon nga ky objekt dhe një tjetër nga zyra në Çabër.

“Një pjesë e zyrës së ARBK-së për regjistrimin e bizneseve që është këtu në funksion e sipër, dhe natyrisht këtyre komisioneve zgjedhore dhe për regjistrim u kemi lëshuar zyret që sa më parë të mund të fillojnë”, u shpreh tutje Zeqiri.

“Presim të sjellim edhe Zyrën për Regjistrim Civil, Kadastrin dhe të gjitha t’i funksionalizojmë”, tha mes tjerash kryetari i Zubin Potokut.

Zeqiri tutje në një intervistë për Klan Kosovën, tha se derisa të sigurohet mirë objekti aty zyre do të kenë edhe Policia e Kosovës.