Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se Kosova duhet të krijojë frymë të re që të hiqen masat e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua Xhevahire Izmaku, anëtare nga Nisma Socialdemokratike. Ajo tha se përderisa kërkohet frymë e re, do të thotë se kjo frymë bashkëpunimi aktuale është e pamjaftueshme.
“Sa i përket qëndrimit gjerman, kjo qeveri muaj më parë ka shpërfaqur humbjen e besimit edhe tek ky aleat. Derisa kërkohet frymë e re, d.m.th kjo frymë bashkëpunimi është e pamjaftueshme”, deklaroi ajo.
Tutje, ajo thekson se derisa bëjnë deklarata të tilla publike shtetet e QUINT-it, nuk do duhej të ishte në gjumë as diplomacia e jashtme.
“Nëse shtetet e QUINT -it bëjnë deklarata të tilla publike, nuk është dashur të jenë në gjumë as qeveria, e në veçanti diplomacia e jashtme. Unë në këtë periudhë të aktivitetit politik, pak e besoj që qeveria do të ndryshojë kurs politik”, tha ajo.
Izmaku po ashtu potencon se qeveria nuk i ka marrë me shqetësim dhe veprime reaguese, masat nga BE-ja.
“As kjo deklaratë që nuk është e para nuk është që i vendos kushtet e fundit për veprime konkrete. Qeveria edhe sa i përket masave nga BE-ja nuk është se i ka marrë me shqetësim dhe veprime reaguese”, u shpreh ajo.
Më tej, ajo thotë se zgjedhjet e reja do të vendosin strategji të reja që mund të prodhojnë një lidership që mban peng proceset integruese të shtetit.
“Gati thuajse njëjtë kanë tingëlluar deklaratat e qeverisë e opozitës. Zgjedhjet e reja do të vendosin strategji të reja që mund të prodhojnë një lidership që nuk i mban peng proceset integruese të shtetit”, përfundoi Xhevahire Izmaku./GazetaBlic/