Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vazhduar t’i etiketojë deputetët e ish-opozitës. Duke folur pas dështimit në seancën e 34-të, Kurti i quajti ata “nomadë”, që sipas tij nuk po duan të kenë shtëpi.
“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka thënë Kurti.
E lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar deputetja nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, e cila thotë se etiketimet e tilla nga kushdo që vijnë nuk ndihmojnë në ndërtimin e klimës së mirëbesimit që na nevojitet për të funksionuar si institucione.
“Në një demokraci parlamentare, Kuvendi është hapësirë për debat, përfaqësim dhe bashkëpunim – dhe i përket të gjithë deputetëve të zgjedhur nga qytetarët, pavarësisht bindjeve politike. Etiketimet, nga kushdo që vijnë e kujtdo që i adresohen, nuk ndihmojnë në ndërtimin e klimës së mirëbesimit që na nevojitet për të funksionuar si institucione”, tha ajo.
Izmaku tutje shton se është e rëndësishme që t’i ruajm komunikimet tona në frymën e respektit institucional.
Ajo shton se në këtë fazë në të cilën gjendet vendi, është e rëndësishme që mes partive të ketë gjuhë bashkëpunuese dhe hapsirë për dialog.
“Është e natyrshme që të ketë qëndrime të ndryshme, por është po aq e rëndësishme që t’i ruajmë komunikimet tona në frymën e respektit institucional.Në këtë fazë, kur jemi ende në proces diskutimesh për ndërtimin e institucioneve, është me rëndësi që mes nesh të ketë gjuhë bashkëpunuese dhe hapësirë për dialog”, përfundoi Izmaku për GazetaBlic.


