Lajme

Izet Sadiku zhvillon takime frymëzuese me qytetarë: Ndryshimi fillon me angazhim

01/13/2025 12:49
nga:G C

Izet Sadiku, kandidati i LDK-së me numrin 35 për deputet, ka zhvilluar një sërë takimesh me strukturat dhe qytetarët e ndryshëm në Prishtinë dhe në fshatin Prugovc, duke shpalosur angazhimin e tij për të sjellë ndryshime pozitive dhe për të kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin.

Në takimin me nëndegën Prishtina II, dega V-të, Sadiku ka theksuar se angazhimi i tij dhe i LDK-së është i përqendruar në krijimin e mundësive për zhvillim dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës.

Ai ka shprehur se një nga prioritetet kryesore është ndërtimi i një të ardhmeje prosperuese për të gjithë, duke shtuar se ndryshimi është i mundur vetëm përmes angazhimit të përbashkët dhe punës së palodhur.

Ndërkohë, gjatë vizitës në fshatin Prugovc, Sadiku ka shpalosur programin e LDK-së, “Rruga e Re”, që përfshin një qeverisje më të mirë dhe më të përgjegjshme, që do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e mundësive më të mira për qytetarët.

Ai ka diskutuar me banorët e fshatit për sfidat që ata përballen dhe ka prezantuar ide të reja për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e mundësive për punësim dhe zhvillim.

Sadiku gjithashtu ka falënderuar familjet Pllana dhe Dragusha për mikpritjen e ngrohtë dhe për mundësinë e krijuar për shkëmbimin e ideve dhe vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë.

Ai ka bërë thirrje që të gjithë të angazhohen për të sjellë ndryshimin e kërkuar dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove të zhvilluar dhe të begatshme.

Në fund, Sadiku ka kërkuar mbështetje për kandidatët e LDK-së, duke theksuar se vetëm me angazhimin e përbashkët mund të realizohet vizioni për një qeverisje më të mirë dhe më të përgjegjshme. /GazetaBlic/