Izet Sadiku, kandidati i LDK-së për deputet, ka theksuar nevojën për rritjen e numrit të mjekëve dhe përmirësimin e kushteve të punës në sektorin shëndetësor të Kosovës.
Ai në një intervistë për GazetaBlic theksoi se spitali i Prishtinës parashihet të ketë 500 punëtorë shëndetësor, duke krijuar mundësi për ata të qëndrojnë në vend dhe të përmirësohen kushtet e punës.
Sadiku shtoi se është e rëndësishme që mjekët që kanë ikur nga Kosova të kontribuojnë nga vendet ku ndodhen, dhe se duhet të krijohen marrëveshje për specializimin e mjekëve jashtë Kosovës.
“Ne duhet ta rritim numrin e mjekëve, sepse është që s’ka mjekë që nuk janë të interesuar për me qëndru këtu. Vetëm spitali i Prishtinës parashihet që t’i ketë 500 punëtorë shëndetësor, kjo do të krijonte mundësi që ata të qëndrojnë këtu dhe të përmisohen kushtetet e punës”, tha Sadiku.
“Ne duhet të luftojmë që ata mjekë që kanë ikur të japin kontributin për Kosovën, nga aty ku janë. Sa i përket specializimit, ne kemi një kthim mbrapa. Para 30 vjetësh, specializimin e kanë kryer në qendra shumë më të avancuara se Kosova, sot, mjekët tanë nuk arrijnë të dalin jashtë Kosovës për ta kryer specializimin, sepse nuk ka marrëveshje bashkëpunimi”, shtoi ai.
Ai gjithashtu përmendi nevojën për mbështetje të infermierëve, duke theksuar se ata janë thelbësorë për shëndetësinë, pasi janë ata që kanë kontaktin më të afërt me pacientët.
Sadiku kërkoi investime në edukimin e infermierëve dhe përkrahjen e tyre për të kryer studimet e nevojshme, duke u fokusuar në forcimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.
“Ministria duhet të gjejë edhe fonde, të gjejnë vendin, dhe t’ia paguajnë një pjesë të shpenzimit. Kjo me qeverinë tonë është e realizueshme, ne do të investojmë shumë edhe në edukimin e infermierëve dhe përkrahjen e tyre, sepse janë shumë të rëndësishëm në shëndetësi”, tha Sadiku.
“Ata janë shumë të rëndësishëm, sepse infermierët janë ata që qëndrojnë më së shumti me pacientin”
Ai theksoi se suksesi në menaxhimin e pandemisë ka treguar se duhet të shmanget ndikimi politik në emërimin e drejtorëve, dhe se menaxhimi i shëndetësisë duhet të mbështetet te ekspertët.
“Pandemia ka qenë rasti më i mirë për mjekët që ta japin kontributin e vetë. Arsyeja e suksesit të menaxhimit të pandemisë është se për herë të parë, partitë nuk kanë pasë ndikim në zgjedhjet e drejtorëve. Ne duhet ta marrim këtë si shembull, që të luftojmë në mënyrë që njerëzit e zotë ta udhëheqin sektorin e shëndetësisë”, tha Sadiku për GazetaBlic.
Intervista e plotë: