Lajme

Izet Sadiku për sulmet e Kurtit: Lista jonë dhe tubimet masovike kanë sjellë arrogancën e Kryeministrit, LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit!

01/28/2025 17:31
nga:Y I

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Izet Sadiku, i ftuar në ‘Blic Zgjedhor’, ka folur në lidhje me sulmet dhe gjuhën e përdorur nga kryeministri Kurti ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sadiku tha se kjo vjen për faktin se LDK-ja po mban tubime masovike dhe se partia në pushtet tashmë është e shqetësuar dhe vazhdon me sulme.

Ai tha se me këto tubime që po mbahen, është e sigurtë që LDK-ja, do t’i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Faktikisht ne kemi filluar një fushatë shumë mirë të organizuar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka një listë më të miren, ka kandidatin për Kryeministër, dr. Lumir Abdixhiku, i cili sot është një prej ekspertëve më të mirë të ekonomisë. Kjo listë e LDK-së e cila është vlerësuar si më e mira prej të gjithë analistave dhe atyre që merren me politikë, ka ndikuar që Kryeministri Albin Kurti t’a ketë një arrogancë e cila nuk është parë në fushatat e zhvilluara në Kosovë pas luftës. Kjo tregon pasigurinë e tij, shqetësimin e tij të cilin ai e din më mirë se ne por këtë shqetësim po e vërtetojnë edhe tubimet tona masovike të cilat faktikisht çdo ditë e më shumë, e keni parë se si çdo sallë po mbushet, dhe kjo tregon se është zgjuar elektorati i Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK pas zgjedhjeve e ka dëgju sygjerimet që ka dhënë elektorati, kemi bërë zgjedhjet në parti, kemi zgjedh një kryetar të ri të përgatitur, i cili e ka përgatit një program “Rruga e Re” me ekspertë, ka bërë zgjedhje brenda aprtisë dhe jemi të organizuar. Ky organizim ka ndikuar që sot qytetarët të besojnë dhe ëndrrat e tyre t’i shohin si të realizueshme përmes programit të LDK-së”

“Unë besoj se kur ka arrogancë atëherë i’u humb arsyeja, argumenti, dhe kur s’ka argumente për t’u ballafaquar me programe atëherë fillohet me ofendime dhe arrogancë ndaj partive të tjera dhe njëkohësisht kjo i bjen edhe ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët e kanë votuar më herët. Natyrisht që qytetarët e Kosovës do t’a dënojnë me 9 shkurt dhe do të zgjedhin Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne jemi shumë të sigurtë se me këto tubime që po mbahen dhe masovitetin e tyre, LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet me 9 shkurt” tha Sadiku për “Gazeta Blic”.