Lajme

Iu rritën votat në tavolinë, reagon Kelmendi i VV-së: S’e di nga kush, unë s’i kam kërkuar askujt këtë!

01/29/2026 11:46
nga:Genita C

Taulant Kelmendi po del të jetë kandidati me numrin më të madh të votave të shtuara nga rinumërimi që po ndodhë në Pejë.

Kandidati i Vetëvendosjes ka thënë se ai nuk është i përfshirë në “maskaradë” dhe nuk e di se kush ia ka shtuar votat.

“Tash, pas rinumërimit, kur rezultati është i pastruar dhe i pakontestueshëm, ndiej obligim të sqaroj dhe mos të lë hije në fitoren tonë.
Me shumë shqetësim i kam përcjellur zhvillimet gjatë procesit të rinumërimit të votave në Pejë, ku është vërejtur se edhe mua më janë shtuar vota në disa kuti gjatë numërimit. Nuk e di nga kush dhe nuk kam kërkuar nga askush. Prandaj është e papranueshme! Ndërhyrja në vullnetin e qytetarëve është veper penale edhe nëse dëshira e dikujt ka qenë për të më ndihmuar. Në Komunën e Pejës, votat janë numëruar të fundit dhe ishte e qartë se mbështetja ishte e mjaftueshme për ta fituar mandatin. Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga komisionerët dhe vëzhguesit që vota të mbrohet dhe të mos tjetërsohet në asnjë rrethanë. Për më tepër, çdo ndërhyrje e tillë bie ndesh me parimet tona dhe distancohem nga çdo veprim që është në kundërshtim me to.
Inkurajojmë institucionet përgjegjëse të hetojnë përgjegjësit, arsyet dhe qëllimet, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten, gishtat mos të na drejtohen as për krahasim me të tjerët, dhe të mos mbetet asnjë dilemë në besimin e qytetarëve” shkruan Kelmendi në reagim.