Lajme

Italia i bashkohet Bordit të Paqes, Meloni: Do të marrim pjesë si vëzhgues

02/15/2026 15:51
nga:Genita C

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi se Italia do të marrë pjesë në Bordin e Paqes, por vetëm si vëzhguese, duke anashkaluar kështu vështirësitë kushtetuese që ajo vetë kishte përmendur tre javë më parë, raportojnë mediat italiane.

“Ne u ftuam si vend vëzhgues dhe sipas mendimit tonë, kjo është një zgjidhje e mirë për problemin që kemi në lidhje me përputhshmërinë kushtetuese me anëtarësimin në Bordin e Paqes”, u tha Meloni gazetarëve.

“Mendoj se do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj ftese për të marrë pjesë si vend vëzhgues, se në çfarë niveli duhet të shohim ende, sepse ftesa mbërriti dje”, shtoi kryeministrja.

Sipas Melonit, pas gjithë punës që Italia ka bërë për të stabilizuar Lindjen e Mesme, “një prani italiane dhe europiane është e nevojshme”.

Takimi i parë zyrtar i Bordit të Paqes pritet më 19 shkurt në Uashington, me pjesëmarrjen e të paktën njëzet vendeve. Donald Trump pritet të njoftojë një plan rindërtimi prej disa miliardë dollarësh për Gazën.