Ish-ministri Ahmet Isufi, në një intervistë për “Blic Interview me Astrit Gashin”, ka folur për idealet që sipas tij, e kanë udhëhequr gjatë angazhimit të tij politik dhe kombëtar.
Isufi ka thënë se qëllimi i tij kryesor në jetë ka qenë liria e popullit të Kosovës dhe angazhimi për shqiptarët.
“Për mua, qëllimi më i madh në jetë ka qenë edhe është me qenë i lirë si popull i Kosovës, të angazhohem për shqiptarët, sepse na ka ndarë historia”, ka deklaruar Isufi.
Ai ka thënë se frymëzimin për angazhimin e tij e ka marrë edhe nga veprimtarë të çështjes kombëtare, duke përmendur Kadri Zekën, Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Jusuf Gërvallën.
Isufi ka treguar se angazhimi i tij në Lëvizjen Kombëtare ka nisur që nga vitet ’80 dhe se kjo përvojë, sipas tij, e ka bërë të besojë më shumë në punën konkrete sesa në zhurmën publike.
“Ky ideal ka vazhduar që nga vitet e ’80-ta, kur jam angazhuar në Lëvizjen Kombëtare, dhe kjo më ka bërë që më shumë duhet t’i mbërrish qëllimet sesa të bësh zhurmë, sepse vepra është më e rëndësishme. Për mua më shumë ka qenë me rëndësi me fitu sesa të bësh zhurmë. Jam mundur që të tjerët të bëjnë vlerësimin”, ka deklaruar ai.
Duke folur për mënyrën se si i ka parë bashkëpunëtorët dhe angazhimin e tyre, Isufi ka thënë se dhënia e meritave të tjerëve është njëkohësisht edhe një vlerë që i kthehet vetë atij që i jep.
“Nëse ti ua jep të tjerëve dashurinë, afërsinë, mobilizimin e tyre dhe i angazhon duke ua dhënë meritat atyre, krejt ato janë edhe tuat. Për mendimin tim, çdo gjë që bëhet në dobi të popullit është dobi edhe për ty personalisht, sepse ti e ndan me ata. Për mua më shumë ka qenë me rëndësi në praktikë me i zbatu ato që kanë qenë ideale të njerëzve me të cilët kam punuar, e për emër, në fund të fundit, emri shkrihet tek të tjerët dhe bëhet e përbashkët”, ka deklaruar Isufi.


