Lajme

Isufaj priti në takim përfaqësues të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare, AVONET

11/08/2024 15:49
nga:Sh R

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Rrjetit të Organizatave Joqeveritare, AVONET, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv Kenan Gashi, për të diskutuar mbi përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet PSRK-së dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve).

Në kumtesën për media bëhet e ditur se ky takim synon të fuqizojë partneritetin në mes këtyre dy të fundit, në fushën e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

“Gjatë takimit janë diskutuar disa mënyra se si mund të thellohet më tej ky bashkëpunim, me theks të veçantë tek organizimi i aktiviteteve informuese, për të adresuar sfidat dhe sukseset e rasteve të trajtuara nga Prokuroria Speciale, si dhe lehtësimin në shkëmbimin e informacioneve me OSHC-të, duke respektuar limitet nga korniza ligjore, si Kodi i Procedurës Penale, Ligji për qasje në dokumente publike dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet tutje në njoftim.