Sporti

Ismet Munishi për Leon Avdullahun: Është shembull, ka marrë vendim të madh – ai e hapi rrugën edhe për të tjerët që ta pranojnë Kosovën

08/26/2025 09:33
nga:Lorik J

Leon Avdullahu, mesfushori 21 vjeçar i Hoffenheim ka bërë zgjedhjen e madhe, duke vendosur të përfaqësojë kombëtaren e Kosovës, me ç’rast ka refuzuar ftesën e Zvicrës – ku edhe ka luajtur në të gjitha grupmoshat.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dje zyrtarizoi kalimin e Avdullahut tek Kosova, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi e përshkruar këtë lëvizje si vendim të madh nga Avdullahu, pasi do hap rrugën edhe për të tjerët që në të ardhmen mund të jenë me “dy mendje”.

“Një vendin shumë i madh, normalisht që hap rrugën dhe bëhet shembull edhe për futbollistë tjerë që ta pranojnë Kosovën dhe të vendosin me integritet dhe me zemër para interesave personale, mediat në Zvicër e cilësojnë si një nga largimet më të dhimbshme, si ato të Rakitic e Petric, me të vërtetë, Leoni është shembull, pas këtij vendimi të madh”, tha fillimisht Munishi për ‘GazetaBlic Sport’.

Munishi beson se serioziteti dhe puna e mirë e Fodas po ndikon shumë që edhe lojtarët ta kenë më të lehtë ta pranojnë përfaqësimin e Kosovës.

“Unë mendoj se serioziteti dhe mobilizimi dhe suksesi që ka sjellë Foda, e bën më të lehtë që lojtarët tanë në masë të madhe të pranojnë të luajnë për Kosovën, sepse normalisht kur është një kombëtare më konkurruese, e kanë më lehtë të vendosin”, vazhdoi Munishi.

Në fund, trajneri potencoi se me afrimin e Avdullahut, Kosova ka zgjidhur problemet në periudhë afatgjate në repartin e mesfushës.

“Leon Avdullahu është veç 21 vjeçar, është lojtar kualitativ, tash është transferu në Hoffenheim, në një klub ku gjithmonë ka projekte me lojtarë të rinj dhe punon mirë – mendoj se me Leonin i kemi zgjidh problemet në kohë afatgjate në mesfushë”, përfundoi trajneri i njohur kosovar.

Kujtojmë se Avdullahu pritet të debutojë ndaj Zvicrës si mysafir me 5 shtator, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026.

/GazetaBlic Sport