Sporti

Ismet Munishi, ‘baba’ për shkarkime e largime – 10 klube në 9 vitet e fundit

10/21/2023 11:51
nga:Mergim Rreci

Ismet Munishi e ka përfunduar edhe aventurën e tij tek skuadra e Ferizajt.

Largimi i tij i fundit nënkupton se 49-vjeçari ka ndërruar ekip plot 10  herë që prej se e udhëhoqi Vushtrrinë drejt titullit të kampionit të Kosovës në sezonin 2013/14, shkruan GazetaBlic Sport.

Në tetor 2014, Munishi dha dorëheqje nga Llamkos Kosova, pasi e kishte udhëhequr drejt titullit të parë të kampionit, i cili ishte edhe për të i pari dhe i vetmi deri më sot.

Tutje, Munishi kaloi tek Hajvalia, atje ku u largua pas vetëm pas disa muajve në vitin 2015. Pas kësaj, ai u bë trajner i Dritës, atje ku u shkarkua pas vetëm një kohe të shkurtër.

Vëllaznimi dhe Feronikeli ishin dy skuadrat e radhës që drejtoi, por që të dyja ishin aventura shumë të shkurtëra dhe të dështuara.

Pas kësaj, ai u kthye përsëri në Ligën e Parë, fillimisht tek Besa e pastaj e drejtoi përsëri Vëllaznimin, por pa rezultate konkrete në të dyja klubet.

Një aventurë deri diku e suksesshme ishte ajo tek Ballkani, me Ismet Munishin që ia doli ta mbajë skuadrën në garë për titull deri në javët e fundit të sezonit, kur e humbi atë përballë Dritës dhe madje përfundoi në vendin e tretë.

Në sezonin pasues, ekipi i Ballkanit nën udhëheqjen vazhdoi të pësoi rënie të madhe dhe Munishi u shkarkua pas gjysmës së parë të sezonit.

SC Gjilani ishte aventura e tij e radhës, me ‘Skifterat’ që kërkonin titullin kampion nën udhëheqjen e ‘Babës’, nofka me të cilën njihet Munishi.

Megjithatë, ai u largua pas vetëm një viti qëndrimi dhe rezultateve jo bindëse në ndeshjet vendimtare të sezonit.

Dështimi i radhës ishte tek Prishtina, pavarësisht se duhet cekur që klubi ishte në probleme të brendshme gjatë kësaj kohe, me Munishin që u skarkua nga klubi pas vetëm pothuajse 9 muajsh të kaluara tek klubi nga kryeqyteti.

Aventura e fundit e mbyllur ishte kjo sot me skuadrën e Ferizajt, atje ku qëndroi nga muaji qershor i këtij viti, pra rreth 4 muaj.

Ai kishte deklaruar në prezantimin e tij se ” Projekti është shumë serioz, ne e synojmë jo vetëm Superligën, por edhe Evropën”. Megjithatë, deklarata mbeti vetëm si një e kaluar, me Munishin që njoftoi sot largimin e tij.

/GazetaBlic Sport/