Anëtari i organizatës Demokracia në Veprim, Ismet Kryeziu ka deklaruar se numërimi i votave në qendra të centralizuara komunale e ka bërë procesin zgjedhor më të ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme dhe ndërhyrjeve të organizuara.
Kryeziu në Politiko shpjegoi se, ndryshe nga numërimi në vendvotime ku procesi ishte i shpërndarë dhe i monitoruar nga mijëra komisionerë e vëzhgues, sot ndikimi është më i lehtë për shkak të përqendrimit të numërimit në një hapësirë të vetme.
“Nëse e thjeshtojmë, në qytete si Prizreni apo Prishtina kemi qindra vendvotime, që nënkupton mijëra persona të përfshirë në proces. Ndërsa në një qendër komunale numërimi kemi vetëm rreth 100 komisionerë apo vëzhgues, çka e bën shumë më të lehtë ndikimin kriminal,” u shpreh ai.
Kryeziu theksoi se ky model e ka humbur përparësinë e shpërndarjes horizontale të numërimit, e cila sipas tij ofronte më shumë siguri dhe transparencë në procesin zgjedhor.


