Lajme

Ismet Kryeziu: Albulena Haxhiu kryetare, apo koalicion me PDK-në?!

04/24/2025 11:25
nga:Ismet Kryeziu

Shkruan: Ismet Kryeziu

Siç duket, VV-ja pasi nuk arriti të sigurojë shumicën për një qeveri stabile me mandat të plotë, pas refuzimit nga LDK-ja, po pozicionohet për të qëndruar në opozitë ose për të shkuar në zgjedhje të reja.

Nuk po synon të formojë një qeveri me minimumin prej 61 votash, pasi një qeveri e tillë do të ishte e paqëndrueshme dhe e rrezikuar nga fillimi. Nga ana tjetër, nuk po do as të rrezikojë një tjetër përpjekje të dështuar për koalicion, kësaj radhe me PDK-në, e cila mund të refuzojë njëjtë siç bëri LDK-ja. Pra, me shumë gjasë do të shmang PDK-në si mundësi për bashkëqeverisje, së paku në këtë situatë dhe do provokojë zgjedhje të reja.

Por, duke u siguruar për të ruajtur një pjesë të kontrollit institucional, siç është posti i Kryetarit të Kuvendit.

Asnjë veprim më tutje për të siguruar numra dhe konsensus, në një farë mënyre arsyeton këmbënguljen për përzgjedhjen e Albulena Haxhiut, si kandidate për Kryetare të Kuvendit.

Nga njëra anë, e njohur për besnikëri ndaj linjës së VV-së dhe liderit të saj; nga ana tjetër, për qëndrimet e saj të ashpra ndaj subjekteve politike kundërshtare. Ky veprim politik për të mos propozuar një kandidat konsensual përputhet me këtë strategji: një figurë që nuk synon kompromise, por që do të përfaqësojë vijën e fortë të partisë në skenën parlamentare dhe do të tentojë të ndikojë në efikasitetin e një qeverie alternative që nuk pritet të jetë e qëndrueshme në numra, as shumë jetëgjatë në kohë. Me pikëpyetje të mëdha, nëse një qeveri e atillë do arrinte të formohej nga subjektet tjera?

Pra, VV-ja po përgatitet për zgjedhjet e afërta gjatë këtij viti, apo edhe për zgjedhjet e vitit 2026. E për më tepër, nëse Kosova shkon në zgjedhje të vitit 2026, si rezultat i mungesës së votave për zgjedhjen e presidentit, atëherë Vetëvendosje apo Albulena Haxhiu, nëse mban postin e kryetares së Kuvendit, automatikisht do ta ushtrojë për disa muaj dhe detyrën e presidentes. Në të dy situatat e shkuarjes në zgjedhje, VV-ja po kalkulon se përsëri do jetë subjekti i parë favorit për të fituar . Për atë, nuk po ju ngutet të marrin udhëheqjen e qeverisë, pa një stabilitet në numra e me mandat të ri dhe të qartë, për të vazhduar me legjitimitet të plotë.

Sepse, diçka është e sigurt nëse shkojmë në zgjedhje, dhe nëse nuk ndryshojnë rezultatet apo do ndryshojnë pak, shumë do ndryshojnë qëndrimet dhe mundësit e bashkëpunimit mes subjekteve politike.