Sporti

Ismajli nuk ia del, Sylvinho gjen zëvendësuesin e tij në Portugali

03/19/2023 14:16
nga:E K

Kombëtarja shqiptare do të nisë pasditën e së dielës grumbullimin para ndeshjes së parë në kualifikueset e Euro 2024 ndaj Polonisë, që luhet në transfertë më 27 mars.

Trajneri Sylvinho ka shpallur që të premten listën me emrat e 23 lojtarëve që do të jenë të gatshëm për këtë premierë kuqezi. Ndërkohë, të shtunën braziliani doli në një konferencë për shtypin ku shpjegoi zgjedhjet e tij. Ai foli edhe për objektivat në këtë sfidë të parë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF, bën me dije se stafi mjekësor i Kombëtares ka qenë në kontakte të vazhdueshme me klubin e Empolit për të mësuar shkallën e dëmtimit të Adrian Ismajlit.

Mbrojtësi kuqezi u dëmtua gjatë ndeshjes së fundit të Empolit në Serie A, ndaj Atalantës. Të shtunën i është nënshtruar analizave që kanë konfirmuar dëmtimin dhe është dalë në konkluzionin se ai nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e me Poloninë.

Në këto kushte, Sylvinho ka vendosur të ndryshojë listën dhe të thërrasë mbrojtësin Enea Mihaj. 24-vjeçari që luan në Portugali me Famaliçao, do të jetë në dispozicion të skuadrës duke nisur nga e hëna.