Sporti

Ismajli: “Air Albania” kështjellë e pamposhtur, ju tregoj sulmuesin më të fortë në Itali

01/15/2024 18:30
nga:E K

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe Empolit në Serie A, Ardian Ismajli preku disa tema në një lidhje direkte me emisionin “Analizë Kuqezi” (çdo të hënë në SportNews nën drejtimin e gazetarit Sokol Xhihani dhe video-analistit Fation Bardhi) në SuperSport, ku ndër të tjera tha:

Problemet në shpinë? Kam marrë një goditje në brinjën e majtë në ndeshjen ndaj Milanit. Tani jam pak më mirë, por të shohim nëse do të jem gati për ndeshjen e së dielës. Kam filluar terapi këto dy ditët e fundit, të shohim si do të shkojë kjo javë.

Ndryshim trajneri? Zyrtarisht ende nuk ka asgjë, por flitet se do të jetë Davide Nicola trajneri i ri. Po presim konfirmimin e klubit.

Unë si Van Dijk sa i përket driblimeve? Nuk e dija, nuk i shoh statistikat. Para tri ditësh më erdhi mesazhi që jam ndër tre mbrojtësit më të mirë në botë në lidhje me driblimet. Shpresoj të vazhdoj sikur e kam nisur.

Lojtari me numrin më të lartë të interceptimeve në Serie A gjatë një periudhe të madhe? Dhunti nga linja, e kam patur gjithmonë leximin e ndeshjes dhe të situatave. Që kur isha i vogël, e kam patur edhe në Kroaci. Edhe tashmë tek Empoli. Gjithmonë marr masat përpara kohe, jam më para sulmuesit në këto situate, sepse e di ku vazhdon aksioni.

Dyshja e konsoliduar me Gjimshitin në qendër të mbrojtjes te Shqipëria? E lindur, e punuar dhe e vazhduar. Me Gjimshitin kemi vite që luajmë bashkë. E ndihmojmë shumë njëri-tjetrin, siç ndihmojnë të gjithë ekipin te Kombëtarja. Ky është çelësi i suksesit.

Merkato pas Euro 2024? Shpresoj të kemi shëndetin. Europiani është një mundësi shumë e madhe për futbollistët për të arritur diçka më shumë në karrierë. Shpresoj të kemi shëndet të gjithë lojtarët e Kombëtares. Do Zoti që të na sjellë diçka më të madhe pas Europianit.

Sulmuesi më i vështirë për t’u markuar në Serie A? Serie A është një ndër 5 ligat më të forta në Europë. Dua të veçoj Lukakun, sepse është shumë i fortë fizikisht. Është më i vështiri për t’u markuar me atë fizik që ka.

Berisha, unë dhe Shpendi nuk po luajmë tek Empoli? Gjithçka është e mundur, do të jemi kundërshtarë me Italinë në Europian. Por, shqiptari nuk dorëzohet kurrë.

Çekia? Pas fitores u futa në fushë duke festuar me shokët. Ishte kënaqësi sikur të isha në fushë. Ishte një fitore që vulosi në masën 90% kualifikimin në Europian.

Shqipëria? Air Albania është bërë një kështjellë e pamposhtur me tifozerinë tonë të zjarrta. Po na japin një energji të jashtëzakonshme, tifozët na motivojnë shumë. Kur e shohim gjithë atë tifozeri që na përkrah, motivimi është më i madh. Do e kenë shumë të vështirë të na mposhtin në Air Albania. Gjithë ekipi ka merita për suksesin e ekipit kombëtar dhe faktin që nuk kemi pësuar gol në stadiumin tonë. Të gjithë lojtarët dhe repartet kanë qenë të shkëlqyer.

Keni njohur rivalët e Europianit dhe jemi në grup ferri. Shqipëri-Kroaci do të jetë një derbi shumë i bukur. Bashkëshortja juaj do të jetë me Shqipërinë apo me Kroacinë?

Normal që do të jetë me Shqipërinë, por dëshira e saj është që të kualifikohen të dyja, pra ne dhe Kroacia.

Kush ka qenë dëshira më e madhe që ke kërkuar për vitin 2024?

Pas dy fitoreve në muajin qershor, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Vitin që lamë pas, kam dëshiruar me gjithë zemër të kualifikohemi në Europian. Tani ia arritëm dhe shpresoj të jemi të gjithë mirë me shëndet, e të bëjmë maksimumin për të bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Jemi gati të japim më të mirën që të nderojmë Shqipërinë dhe shqiptarët në Gjermani 2024.