Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e mban Kosovën në bllokadë politike.
Përmes një postimi, Ismaili ka thënë se qytetarët po e paguajnë çmimin e krizës dhe ka kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
“Populli i Kosovës nuk mund të mbahet peng për shkak të kalkulimeve politike të një partie apo të një njeriu”, ka shkruar Ismaili.
Ai ka bërë thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe ka theksuar se mobilizimi i tyre do të vazhdojë deri në konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.


