Lajme

Islami nga Këshilli i Prindërve: Do ketë vonesë në fillimin e vitit shkollor

08/23/2023 18:55
nga:G B

Visar Islami, nënkryetar i parë i Këshillit të Prindërve, ka treguar se sot antarët e Këshillit të Prindërve kanë mbajtur mbledhje, ku temë diskutimi ka qenë sigurimi i librave për fillimin e vitit të ri shkollor.

I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Islami thotë se vendimi i ministrisë ende nuk është i prerë, por është vetëm ide, dhe se sipas tij ai pritet të merret nesër ose pasnesër.

“Ky nuk është një vendim i prerë dmth është ende si ide ndërkaq vendimi besoj që do të merret nesër ose pasnesër”, është shprehur Islami.

Islami thotë se sa më shpejtë duhet të merret vendimi, që Këshilli i Prindërve dhe institucionet ta kenë të qartë se çfarë duhet të bëjnë, sepse sipas tij do të ketë vonesa në fillimin e vitit të ri shkollor, “deshtëm apo s’deshtëm”.

Islami tregon se si Këshill i Prindërve, kanë rekomanduar që prindërit të shkojnë të marrin vetë librat në librari ose shtëpi botuese e pastaj obligimet ti kryej ministria.

Por sipas tij nga diskutimi që këshilli ka pasur forma e vetme del të jetë ajo e propozuar nga Ministria e Arsimit, e që është rimbursimi.

“Ne si Këshill kemi dhënë një rekomandim që e kemi pasë një mundësi që prindërit të shkojnë të marrin vetë librat ne librari ose ne shtepi botuese dhe obligimet t’i kryej ministria. Forma e vetme nga ajo qe diskutuam po del te jete rimbursimi”, ka thënë Islami.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ditë më parë ka vendosur që të mos sigurojë tekstet për filloristët, por prindërit ti sigurojnë për fëmijët e tyre, dhe pastaj ministria ti rimbursojë.