Sporti

Ishte vendimtar në fitoren e parë të Drenicës, Altin Vojvoda: Jam përgatitur maksimalisht për këtë edicion në Superligë

09/03/2025 12:33
nga:Mergim Rreci

Futbollisti i Drenicës, Altin Vojvoda e ka nisur në mënyrën më të mirë edicionin e ri në Superligën e Kosovës.

Vojvoda u transferua tek skuadra nga Skenderaj në merkaton e verës, kurse në edicionin e kaluar ishte pjesë e Vëllaznimit në Ligën e Parë.

Ai ishte vendimtar në fitoren e Drenicës ndaj Prishtinës së Re, duke bërë një asistim fantastik për Kreshnik Ukën, i cili realizoi golin e vetëm në ndeshje.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tha se është shumë i lumtur për kontributin e tij në këtë takim, kurse tha se ka bërë përgatitje maksimale për këtë edicion.

“Jam përgatitur shumë mirë për këtë edicion në Superligën e Kosovës, si në aspektin fizik, ashtu edhe në aspektin psikologjik, duke kuptuar rëndësinë e garës. Jam shumë i lumtur për asistimin dhe kontributin tim në fitoren e parë të këtij edicioni në Superligë me Drenicën. Kemi një skuadër cilësore, së bashku mund të arrijmë rezultatet që i kemi si synim. Do të jap gjithmonë 100% nga vetja”, tha Vojvoda.

Kujtojmë që 25 vjeçari njihet si njëri ndër sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin kosovar dhe synon që të ‘shpërthejë’ pikërisht në këtë edicion me paraqitjet e tij.

/GazetaBlic Sport/