Andrei Burca, qendërmbrojtësi i kombëtares rumune ka dhënë një intervistë në të cilën ka folur për duelin me Kosovën në Ligën e Kombeve.
Ai bëri të ditur se “trikolorët” duan të marrin 6 pikë nga ndeshjet me Kosovën dhe Qipron.
Gjithashtu, u dërgoi një mesazh të qartë tifozëve të kombëtares që të shmangin thirrjet apo incidentet që mund të çojnë në ndërprerjen e ndeshjes, siç ndodhi në shtator të vitit 2023, në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Europian.
“Unë jam i gatshëm, si unë, ashtu edhe kolegët e mi, e dimë saktësisht se çfarë trajneri kërkon prej nesh, duam të marrim 6 pikë për të përfunduar grupin kualifikues me fitore dhe për të pasur moral shtesë për atë që do të vijë. Shpresoj ta fillojmë lojën shumë mirë dhe të dalim fitimtarë. Publiku do të jetë faktor vendimtar, jam i vetëdijshëm që kemi një tifozeri të qytetëruar dhe të pjekur. Kjo është ajo që duhet të dëshmojmë në këtë ndeshje, sepse nuk duam të përsërisim historinë nga ndeshja e kaluar me Kosovën. Ishte turp, dëshmuam në fushë se mund të fitonim kundër tyre. E di se çfarë tifozë kemi, do të ishte turp të mos u jepnim gëzim. Prandaj le të sillen në mënyrë fantastike në tribuna, ashtu si ne në fushë. Shpresoj të marrim 3 pikët. Hapi tjetër është kualifikimi në Kampionatin Botëror”, tha Burca, në një intervistë për FRF TV.
Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë luhet me 15 nëntor.
/GazetaBlic Sport