Sporti

Ishte dënuar me burg për zhvatje me metoda mafioze, lirohet Fabrizio Miccoli

05/13/2022 23:27
nga:Mergim Rreci

Ish-kapiteni historik i Palermos, Fabrizio Miccoli, rikthehet në liri. Gjykata pranoi kërkesën e tij, duke i dhënë masën alternative të paraburgimit me kusht. Lojtari nga Salento u dënua përfundimisht me 3 vite e 3 muaj burg për akuzën e zhvatjes me metoda mafioze.

Në bazë të detyrës së provës që i ka dhënë Gjykata, Miccoli mund t’i rikthehet punës së trajnerit në shkollën e futbollit. Ai do të duhet të përmbushë disa kërkesa, të tilla si të mos kthehet në shtëpi pas mesnate dhe të mos bëjë asnjë shkelje.

Ish-sulmuesi ishte dënuar pasi kishte kërkuar nga Mauro Lauricella, djali i Ninos, një anëtar i familjes mafioze në lagjen Kalsa, në Palermo, t’i kthente një shumë parash një sipërmarrësi në emër të një miku të tij. Gjatë një telefonate, të përgjuar nga hetuesit, Miccoli dhe Lauricella, duke folur për gjyqtarin Giovanni Falcone, përdorën dhe tone fyese.

Kujtojmë që Miccoli ka një përvojë të shkurtër edhe në Shqipëri si zëvendëstrajner i Dianmos, në fillim të vitit të kaluar, kur “Nëndetësen” e drejtoi për dy muaj në Kategorinë e Parë Francesco Moriero.