Dëshmitarët Valon Hoti dhe Januz Shatri kanë deklaruar se në natën kritike kur kishte ndodhur sulmi në Kuvend, kishin qenë së bashku me të akuzuarin Atdhe Arifi në një lokal në Prishtinë.
Këtë deklarim, dëshmitarët e dhanë të mërkurën, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Arifit, ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe dy aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, lidhur me aktakuzën për sulmin në Kuvend, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas dëshmitarit Hoti, në natën kritike kishin dalë së bashku me të akuzuarin Arifi dhe dëshmitarin tjetër Shatri dhe kishin qenë së bashku edhe në momentet kur ka ndodhur sulmi.
“Natën e 4 gushtit të vitit 2016, rreth orës 21:30 ose edhe më herët jam kontaktuar nga Januz Shatri, i cili më ka ftuar mua dhe Atdhe Arifin që të takohemi, siç kemi bërë zakonisht në mbrëmje, unë më pas e kam kontaktuar përmes telefonit Atdhe Arifin, i cili ka ardhë me veturën e tij në vendin të cilin nuk e mbaj mend, mund të ketë qenë “Maxi 24”, në lagjen “Bregu i Diellit”, tha dëshmitari Hoti.
Tutje, ai shtoi se pas takimit me të akuzuarin Arifi janë takuar me dëshmitarin Shatri dhe kishin shkuar për të ngrënë ushqim tek lokali “ABA”, ku edhe kanë dëgjuar shpërthimin.
“Kemi qenë në atë moment kur është dëgju një krismë, kemi qenë para lokalit ku kishim bërë porosinë, para lokalit “ABA”, është dëgju krisma, nuk ka qenë bash normale, ka qenë më tepër sesa zhurma që dëgjohet nëpër qytet”, tha Hoti.
Pasi që dëshmitari nuk kishte dëshmuar ndonjëherë lidhur me këtë rast, kryetari i trupit gjykues e pyeti të njëjtin se përse nuk e ka ngritur zërin për të deklaruar se i akuzuari Arifi kishte qenë me të natën kritike, për çka dëshmitari tha se kanë folur për këtë çështje përmes organizatës të cilës i takojnë.
“Ne e kemi ngrit zërin dhe në atë kohë organizata që ne i takojmë ka organizuar shumë komunikata, reagime, në njërën prej konferencave me sa mbaj mend elaborohet edhe në pika të shkurta prezenca e Atdheut me mua dhe Januz Shatrin në momentin kritik”, tha ai.
Deklarim të njëjtë dha edhe dëshmitari Januz Shatri, i cili shtoi se emri i tij dhe i dëshmitarit Hoti kanë qenë edhe në media si në cilësi të dëshmitarëve, por asnjëherë nuk është ftuar të deklarohet lidhur me këtë çështje.
Pas kësaj, i akuzuari Frashër Krasniqi deklaroi se i kanë dorëzuar në prokurori lokacionet dhe emrat e personave me të cilët kanë qenë natën kritike, por sipas tij kjo nuk është marrë parasysh.
“Lidhur me këtë çështje, e njoftoj këtë trup gjykues se ne kemi dorëzu në prokurori lokacionet, se ku kemi qenë në momentet kur ka ndodh sulmi, personat me të cilët kemi qenë në ato momente dhe kemi kërku nga prokuroria që të nxjerren materialet filmike të kamerave të sigurisë në ato lokacione si dhe të ftohen persona të cilët kanë qenë me ne në atë kohë si dëshmitarë, kërkesa nuk është marrë parasysh dhe këtë çështje e kemi bërë edhe mediale si organizatë”, tha i akuzuari Krasniqi.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarës Batusha, avokati Ali Beka, propozoi që procesverbalet mbi identifikimin e dëshmitarëve Remzi Zogjani dhe Naser Mustafa të veçohen nga shkresat e lëndës, pasi që sipas tij edhe në vendimin e Gjykatës se Apelit është konstatuar se identifikimi sipas këtyre procesverbaleve është bërë në kundërshtim me ligjin.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Arifi, avokati Ramiz Krasniqi, propozoi që të sigurohen të gjitha mjetet që janë përdorur natën kritike sipas aktakuzës, një letër që është gjetur pranë motoçikletës me një numër të telefonit të shënuar në të dhe të ftohet eksperti i armëve të rënda.
Lidhur me propozimin e avokatit Beka, prokurorja Fikrije Fejzullahu kërkoi që lidhur me këtë prokurorisë t’i jepet afat deri ditën e nesërme, kurse propozimin e avokatit Krasniqi për dëgjimin e ekspertit të armëve të rënda, ajo tha se nuk e kundërshton.
Por, prokurorja tha se e kundërshton propozimin për sigurimin e mjeteve, me arsyetimin se të gjitha këto mjete janë të ruajtura në zinxhirin e ruajtjes dhe në albumin e fotografive.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli, tha se për këto propozime do të vendoset jashtë seancës.
Seanca e radhës për këtë çështje është e caktuar të mbahet më 16 qershor 2022.
Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi po akuzohen se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Këtë rast, fillimisht e kishte gjykuar gjykatësi Beqir Kalludra, por pas avancimit të tij në Gjykatën e Apelit me vendimin e 21 dhjetorit 2020, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), lënda ka kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, e më pas përfundimisht këtë lëndë do ta gjykojë gjykatësi i Departamentit Special, Vesel Ismaili.
Pas rigjykimit, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Kalludra, ishin caktuar gjithsej gjashtë seanca, prej të cilave vetëm tri kishin arritur të mbahen.
Pasi gjykatësi Kalludra, më 27 nëntor të vitit 2017, kishte shpallur fajtorë katër të akuzuarit, duke i dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim, në seancën e parë pasi rasti ishte në rigjykim, më 4 mars 2020, ish-mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Tomë Gashi, kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.
Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.
Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kolegji i instancës së dytë gjyqësore, kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është bërë me shkelje ligjore dhe e kishte anuluar të njëjtin dhe në këtë mënyrë, lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Për rastin e aktivistëve të dënuar të VV-së, më 9 shkurt 2018, ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në fund të seancës, Kuvendi kishte miratuar disa rekomandime ku kërkohej që për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit, nga ndonjëri nga vendet perëndimore të BE-së, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzon për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar “me qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit duke pasur për qëllim, që Kuvendi i Kosovës të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë rast, të shkaktojë frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23:05 nga parkingu përballë Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Fatmir Limaj: Nisma i bashkohet protestës së nesërme, po shkelet dinjiteti i veteranëve


