Zgjedhjet lokale po afrohen vazhdimisht.
Kur kanë mbetur diçka më tepër se dy muaj deri në zgjedhjet për kryetarë komunash e deputetët komunalë, opinioni politik kosovar ka filluar t’i analizojë emrat e kandidatëve, të paktën të atyre që janë zyrtarizuar, përcjell GazetaBlic.
Lidhur me këtë GazetaBlic ka kontaktuar edhe me kreun e dikurshëm të VV-së, që tani mbanë petkun e analistit, Visar Ymerin. Ky i fundit, nuk e parashikoi dot sesa komuna do t’i fitojë Vetëvendosja, por shtoi faktin se rezultati i 17 Tetorit dhe 14 Shkurtit do të dallojnë.
Shkak për këtë sipas tij, do të jetë mungesa e kauzës kryesore së VV-së, luftimi i korrupsionit e nepotizmit, që nuk do ta ketë fuqinë e njëjtë.
“Gara në nivel lokal varet nga emri i kandidatit po aq sa nga logoja e partisë. Kështu që në mungesë të emrave vështirë të parashikohet gara. Por, nga kjo perspektivë e tashme, duket që rezultati i VV-së nuk do të jetë ai i 14 shkurtit.
Një prej aduteve shumë të rëndësishme të VV-së, lufta kundër korrupsionit e veçanërisht kundër nepotizmit, nuk do ta ketë fuqinë e njëjtë sikur më 14 shkurt. Kjo për faktin se për këta muaj sa qeverisën me nivelin qendror VV nuk e ka dëshmuar se është ndryshe në këtë pikë – rastet e punësimeve nepotike janë të bollshme për ta lënë një shije të hidhur me këtë qeverisje”, përfundoi Ymeri.
/GazetaBlic/