Lajme

Ish-zyrtari i AKPPM-së thotë se sa ishte në pushim, në emër të tij ishin bërë zotime për avanca afro 200 mijë euro

10/28/2021 17:21
nga:Y I

Ish-zyrtari zotues në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Shkelzen Sadriu ka thënë se në vitin 2017, gjatë dy muajve sa ai kishte qenë në pushim, në emër të tij ishin bërë zotime për avanca në vlerë afro 200 mijë euro.

Këtë deklarim, dëshmitari Sadriu e ka bërë në seancën e së enjtes, në gjykimin ku zyrtari i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Mendim Sojeva po akuzohet për veprën penale të përvetësimit në detyrë, kurse Ganimete Gashi – Ahmeti, po ashtu në cilësinë e zyrtares në AKPPM, po akuzohet se në bashkëkryerje me Sojevën, kanë kryer veprën penale, hyrje në sistemet kompjuterike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e akuzon Sojevën se i kishte përvetësuar mbi një milion euro, në emër të avancave për udhëtime të ndryshme zyrtare.

Në seancën e së enjtes, dëshmitari tha se kishte munguar dy muaj në punë, ngase kishte rast vdekje në familje dhe kishte qenë në pushim mjekësor prej një aksidenti, e po ashtu edhe në pushim vjetor.

“Gjatë kësaj kohe kur unë nuk kam qenë fare në punë në sistem ka figuruar emri im, që unë kam qenë çdo ditë në punë në zyrën e AKPPM-së, janë bë zotimet në emrin tim në kohën kur unë nuk kam qenë në punë”, tha Sadriu.

Ai tha se këtë e kishte kuptuar pasi që i ishin prezantuar prova nga Policia e Kosovës.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Haki Gecaj, dëshmitari Spahiu ka thënë se në vitin 2009 ishte pranuar në AKKPM si asistent në departamentin e licencimit, ndërsa në vitin 2014 ishte pranuar në departamentin e inspektoratit farmaceutik i cili departament ishte transferuar në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Dëshmitari ka deklaruar se përderisa ishte në punë në AKKPM, atij i ishte kërkuar që të trajnohej në Thesarin e Shtetit si zyrtar zotues, me arsyetimin se AKPPM-ja kishte mungesë të stafit dhe se në rast të mungesës së zyrtarit permanent do të ftohej ai si zyrtar alternativ.

Gjatë periudhës së vitit 2014 sa ai kishte qenë duke punuar ende në AKKPM, tha se nuk kishte pasur asnjë kërkesë për zotim të mjeteve.

Pastaj, për vitet tjera kur ai kishte kaluar në MSH, tha se ishte ftuar nga zyrtarët e AKKPM-së, për kërkesë për zotim përmes postës elektronike apo telefonit, duke shtuar se këto kërkesa kanë qenë të rralla.

“Kërkesa pasi është bërë edhe pse kanë qenë të rralla, kemi shkuar në zyrën e AKPPM-së dhe aty janë bërë zotimet sipas kërkesës. Kjo zyrë ka qenë para se me hi në zyrën e Seit Tolaj, Mendim Sojevës, me sa më kujtohet ose Violeta Dibra ose Driton Bajrami kanë qenë në të njëjtën zyrë, para hyrjes në këtë zyre është një zyrtar Dhurata Veseli edhe Diana, do të thotë para se me hy në zyrë te këta tre zyrtarë ka qenë kjo zyrë në korridor e njëjtë”, tha ai.

Kërkesa për zotim të mjeteve, ai tha se shumicën e herëve i ishte dorëzuar nga i akuzuari Sojeva, së bashku me shkresat e kompletuara e që më pastaj shtoi se pas zotimit e kishte nënshkruar formularin dhe e kishte përcjellë atë tek zyrtarët tjerë.

Ai ka thënë se kishte bërë zotime më shumë për pagesa, paga të punëtoreve, ndërsa tha se me sa i kujtohej asnjëherë nuk kishte bërë zotime për avance për udhëtime zyrtare për stafin e AKKPM-së.

Dëshmitari ka mohuar pyetjet e prokurorit të cilat kishin të bënin me të dhënat e nxjerra nga Sistemi Informativ i Financave të Kosovës (SIMFK), ku sipas prokurorit Gecaj me llogarinë e dëshmitarit ishin bërë zotime për avanca për udhëtime zyrtare dhe atë për vitin 2015 në shumë prej 365 mijë e 544 euro, për 2016 në shumën prej 340 mijë e 30, për vitin 2017 shumën 440 mijë e 555 euro dhe fillimin e vitit 2018 shumën prej 92 mijë e 545 euro.

Ai tha se është i sigurt dhe nuk ekziston mundësia që ato janë bërë prej tij.

“Ngjashëm sikur në vitet 2015 po ashtu edhe në 2016-2017, ftesat kanë qenë shumë të rralla, mundem me të thënë se brenda vitit nuk ka shkuar më shumë se pesë herë. Shumat në këto zotime nuk kanë mundur me qenë në vlera të mëdha, për krejt vitin nëse nuk gaboj nuk kanë mundur me qenë më shumë se 50 mijë euro”, tha dëshmitari.

Derisa ka shtuar se ka edhe fakte dhe prova me të cilat mund të vërtetohen që ai nuk i ka bërë këto zotime me shifrat të cilat i ka përmendur prokurori.

Ndërsa, për vitin 2018, i njëjti ka thënë se nuk kishte pasur kërkesa për zotim dhe se i kujtohej se kur ishte takuar me të akuzuarin Sojeva në formë të shakasë i kishte thënë “shyqyr asnjëherë nuk më keni thirrë për asnjë kërkesë”, duke shtuar se me sa i kujtohej Sojeva i kishte thënë “ jo s’ka pas kërkesë, fillimi i vitit”.

Dëshmitari ka shtuar se gjatë këtij viti, nga auditorët e brendshëm i ishte kërkuar raporti me zotimet e bëra gjatë këtij viti dhe pasi që i njëjti i kishte treguar se nuk ka, atëherë ishte njoftuar nga ata se figuronte emri i tij në disa zotime dhe i ishte rekomanduar që ta lajmëronte rastin në polici.

Pasi që dëshmitari Sadriu ka mohuar se ai kishte bërë zotime të tilla, prokurori ka pyetur nëse i njëjti kishte ndonjë ide se kush mund t’i ketë bërë këto zotime në emër të tij.

“Nuk mundem me ditë se kush i ka bë, por nëse mundem me potencua, policia kur më ka marrë në pyetje më kanë thënë se prej kompjuterit të Mendim Sojevës janë bërë këto zotime në emër tuajin, edhe më kanë thënë a dyshon”, u përgjigj dëshmitari.

Po ashtu, theksoi se kur i pa se të gjitha këto ishin kryer në emrin e tij, atëherë thotë se në atë rast ka mundur të dyshojë.

“Kam mundur me dyshu, pasi në kompjuter të tij janë bë qysh më ka thënë policia, por nuk mundem me ditë a e ka bë”, shtoi Sadriu.

Tutje dëshmitari ka thënë se kur ishte certifikuar nga Thesari, me kërkesë të tij i ishte dhënë një zarf i mbyllur në të cilin kishte fjalëkalimin e llogarisë së tij si dhe rekomandimin që ky fjalëkalim të ndërrohet pasi të kyçet në llogari për herë të parë, të cilën edhe e kishte bërë.

Ndërsa, përmendi se bazuar në dokumentacionin që i ishte prezantuar nga policia pas rastit kritik, rezultonte se ai kishte bërë edhe një kërkesë për t’u pajisur me fjalëkalim.

“Në Thesar është një formular në emrin tim që në vend të nënshkrimit figuron vetëm emri im, d.m.th. është kërkesë në emrin tim në Thesar për me marrë paswordin apo për ndryshimin e paswordit, e unë se kam bë këtë kërkesë”, deklaroi ai.

Tutke tha se e rrallë ka qenë qasja e tij me këto kërkesa të tilla, ndërsa lidhur me kërkesën që ishte bërë në emrin e tij në Thesar, thotë se e ka parë në zyrat e Policisë së Kosovës, por edhe në prokurori kur ishte marrë në pyetje.

Por që ai tha se i kujtohej që kishte pranuar nja zarf nga Sojeva me ndryshim për përdorues dhe fjalëkalim të ri, pasi që ishte bërë një ndryshim në AKPPM, dhe se ky zarf sipas Sadriut nuk kishte qenë i mbyllur me ngjitës.

“Po, mesa më kujtohet kur jam ftuar në AKPPM gjatë asaj kohe kishte qenë një ndryshim, a ka qenë kërkesë e Thesarit nuk mundem me ditë por ishte bërv një ndryshim për user dhe pasword dhe në atë kohë unë e kam pranuar zarfin pranë zyrave të AKPPM-së konkretisht prej Mendimit”, tha dëshmitari duke shtuar se i kujtohet shumë mirë se kur i ka pyetur, i kanë thënë se është bërë një ndryshim.

I pyetur nga prokurori Gecaj nëse e kishte pyetur Sojevën se nga kishte ardhur ky zarf, dëshmitari dëshmitari tha se i kujtohet që e ka pyetur.

“E di që e kam pyet, përgjigjja ka qenë qe urdhëro zarfin merre zarfin. E di që e kam thënë ka e more, edhe ai disi si t’u kesh ka thanë që e mora, e mora pa shkuar unë me marr atje”, theksoi ai.

Ndërsa kur është pyetur nëse i njëjti i kishte ndihmuar të akuzuarit Sojeva për shitblerje të veturave, Sadriu ka thënë se të akuzuarit Sojeva i kishte shitur vetura pasi që pas orarit të punës ishte marrë edhe me shitblerje të veturave.

Por që ai ka thënë se këtë nuk e kishte bërë me ndonjë qëllim apo vetëdije se ishte duke u bërë ndonjë keqpërdorim.

“Më 2017 më kujtohet shumë mirë se pas pushimi që kam pasur, ato ditë kur kam dalë në punë Mendimi e ka pas kohën ose marrëveshjen që e kemi pasur me m’i pru do pare për me kry obligimin ndaj veturave që ia kam shit ose që i kemi ndërruar”, tha ai.

Ndërsa, theksoi se kur ishte duke e pritur në veturë, e ka thirre në telefon dhe i ka thënë se po shkon për t’i marrë paratë.

“Kam qenë duke pritur në veturë tek rrethi i fontanës afër konvikteve dhe të njëjtën kohë në telefon më ka thënë se jam duke shkuaar m’i marrë paratë prej Fatmirit, nuk e di cili Fatmir, edhe po i marr paratë edhe po t’i bi, edhe mandej unë i kam marrë paratë”, tha ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sojeva, avokati Ali Beka ka pyetur dëshmitarin nëse i njëjti gjatë trajnimit për certifikim ishte udhëzuar që fjalëkalimi i llogarisë nuk mund të merrej dorë pas dore.

“Mendoj që më mirë është me u bë pyetje qysh është marrë ajo prej Thesarit ose qysh është bë në emrin tim kërkesa”, u përgjigj dëshmitari.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, dëshmtiari ka thënë se të akuzuarën Gashi Ahmeti e nuk e njeh dhe me të njëjtën ishte takuar në MSH dhe se ka punuar në financa në këtë ministri, Ndërsa në AKPPM tha se nuk e kishte takuar.

Seanca e radhës në këtë rast është caktuar për 10 nëntor.

Në seancën e 27 tetorit, në këtë gjykim u dëgjua në cilësinë e dëshmitarit Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismajli.

Ndryshe, me këtë lëndë kishte qenë fillimisht i ngarkuar gjykatësi Valon Kurtaj, i cili edhe e kishte mbajtur seancën fillestare me 6 nëntor 2020, ku dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Por, pas avancimit të gjykatësit Ismaili nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin Special, ky rast ishte ndarë tek ai.

Për këtë arsye, sipas Kodit të Procedurës Penale, në rast të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor fillon rishtas.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avance i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletëtërheqje me rastin e pranimit për shumën 1 milionë e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290 mijë e 430 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avanceve, sipas PSRK-së, ishte zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1 milion e 238 mjë e 764 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173 mijë e 305 euro, të cilët zyrtarë kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur fjalëkalimet e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancet në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj – Veseli, shuma prej 553 mijë e 269 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156 mijë e 750 euro dhe Bali Morina shuma prej 20 mijë e 850 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të fjalëkalimeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779 mijë e 289 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1 milion e 355 mijë e 441 euro e 14 centë, të tërhequra në emër të avancave, për 133 mijë e 940 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avanset e tërhequra në vlerë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro e 14 centë, përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avance ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes ueb shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me fjalëkalim të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancat duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morina.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kupona shpenzimi në vlerë 20 mijë e 850 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avanceve për udhëtime zyrtare 72 kupona në vlerë 154 mijë e 736 euro e 84 centë, në shumë të përgjithshme 175 mijë e 586 euro e 84 centë, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avancave të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi – Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”.