Ish-zëvendës ministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka reaguar lidhur me situatën që është krijuar për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.
Ai, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se sikur Ministria e Arsimit t’i përfshinte në grupin për rishikimin e kalendarit shkollor sindikalistët, Këshillin e Prindërve e komunat ndoshta nuk do të kishte tensione të tilla.
Sipas tij ministrja Nagavci duhet ta tejkaloj egon e saj dhe ta kuptoj që përgjegjësia më e madhe për situatën e krijuar bie pikërisht mbi të, për shkak të pozitës që mbanë.
“Nxënësit nuk dijn se kë ta dëgjojnë : ministren që thotë se nesër ( e shtunë) mbahet mësimi, apo ti dëgjojnë mësimdhënësit ( SBASHK) dhe prindërit e tyre ( Këshillin e Prindërve) që thonë se nuk do mbahet mësimi ?”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Zonja Nagavci, pse kjo lojë me nxënësit ?
Ende pa kaluar më shumë se 2 javë nga fillimi i procesit mësimor, përsëri krijohen tensione të panevojshme. Ministria rishikon kalendarin shkollor ( që është edhe kompetencë e saj ) , dhe vendos për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës. Në anën tjetër, SBASHK, Këshilli i Prindërve dhe Kryetarët e Komunave e kundërshtojnë vendimin e ministrisë, duke e konsideruar të njëanshëm dhe duke pretenduar që mund të kishte propozim më të mirë dhe më të arsyeshëm.
Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që unë në pronocimet e mija të shumta jam deklaruar se ministria është dashur që në grupin për rishikimin e kalendarit shkollor ti përfshinte edhe sindikalistët, Kësh.e Prindërve, DKA, ndonjë drejtor të shkollave , apo edhe njohës të arsimit. Një përfaqësim i tillë do të shërbente edhe si mundësi e uljes së tensioneve të krijuara për muaj të tërë.
Interesi e ka dashur që për këto dy javë të kishim takime të përditëshme mes Ministres Nagavci dhe kabinetit të saj me sindikalist, prindër, zyrtat komunal, etj., me të vetmin qëllim harmonizimin e veprimeve të përbashkëta në interes të nxënësve e arsimit në përgjithësi. Por, duket hapur që ka munguar vullneti i ministres dhe kabinetit të saj për bashkpunim e ulje të tensioneve.
Ministrja Nagavci duhet ta tejkaloj egon e saj dhe ta kuptoj që përgjegjësia më e madhe për situatën e krijuar bie pikërisht mbi të, për shkak të pozitës që mbanë. Ministrja Nagavci duhet ta kuptoj njëher e përgjithmonë se ajo dhe rrethi i saj nuk mund ti duan nxënêsit më shumë se sa i duan prindërit dhe mësimdhënësit e tyre. Që nga fillimi kam shprehur shqetësimin tim se QEVERIA dhe MASHTI do të mundohen që përfundimin e grevës ta paraqesin si fitore të tyre madhështore përballë mësimdhënësve. Jo Ministre, nuk mund dhe nuk duhet të ndjeheni fituese në një proces kur janë humbur mbi 2 milion orë mësimi.
Me injorimin dhe mosgadishmërinë për të bashkpunuar me sindikalist, prindër e përfaqêsues komunal, keni kontribuar në krijimin e dilemave të paarsyeshme.
Nxënësit nuk dijn se kë ta dëgjojnë : ministren që thotë se nesër ( e shtunë) mbahet mësimi, apo ti dëgjojnë mësimdhënësit ( SBASHK) dhe prindërit e tyre ( Këshillin e Prindërve) që thonë se nuk do mbahet mësimi ?
Këto situata do të rëndojnë edhe më shumë në psikologjinë e nxënësve edhe ashtu të rënduar si rezultat i grevës 22 ditore. Prandaj, Zonja Ministre është koha që të reflektoni dhe ti ndryshoni veprimet. Besoj që tanimë jeni bindur që injorimet nuk janë rruga e duhur e veprimit dhe se kalimi nga një krizë në tjetrën tregon paaftësi menaxhuese.
PO, kam qenë, jam dhe do jem PËR zëvendësimin e orëve të humbura, por kjo duhet arritur edhe në pajtueshmërinë e plotë me mësimdhënës, prindër e DKA.
Uroj që kjo të jetë hera e fundit që nxënësit e prindërit përballen me dilemën: mbahet apo jo mësimi ditën e nesërme ?


