Lajme

Ish-zëvendësministri i arsimit: Në pesë vitet e fundit numri i nxënësve është zvogëluar për 9.2 për qind

03/10/2024 22:53
nga:G B

Ish zëvendës ministri në Ministrinë e Arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se në pesë vitet e fundit numri i nxënësve është zvogëluar në 9.2 për qind.

Sipas ish-zëvendësministrit të arsimit, deri në vitin shkollor 2019/2020 kanë qenë 345 mijë nxënës, këtë vetë janë diku 314 mijë nxënës.

Ai përmend disa faktorë që po ndikojnë në këtë fenomen.

“Në pesë vitet e fundit numri i nxënësve në Kosovë është zvogëluar për 9.2 për qind, d.m.th kanë qenë diku 345 mijë nxënës në vitin 2019/20, këtë vit shkollor janë diku 314 mijë nxënës. Prandaj, ne kemi një zvogëlim të vazhdueshëm të numrit të nxënësve, ky trend vazhdon diku prej vitit 2004/05 dhe kjo ndërlidhet edhe me zvogëlimin e lindjeve sepse ne nga viti 2001 kemi një zvogëlim të lindjeve thuajse për 1/3. Pra në vitin 2001 kanë qenë 33 mijë lindje në vit, në vitin 2022 kanë qenë pak mbi 22 mijë. Kjo tregon se ne jo që kemi zvogëlim të numrit të nxënësve, por ne këtë zvogëlim duhet ta parashohim edhe për vitet e ardhshme. Pra nuk do të shkojë numri i nxënësve duke u stabilizuar por duke u zvogëluar. Ky është realiteti”, thotë ai.

Pupovci vlerëson se përpos natalitetit ndikon edhe shpërngulja nga fshati në qytet, ndërsa që sa i përket liberalizimit të vizave, potencon se është ende herët për të bërë vlerësime.

“Sigurisht. Kur zvogëlimit të natalitetit i shtohet edhe shpërngulja, atëherë me siguri që vjen deri te një zvogëlim edhe më i madh. Për momentin nuk ka asnjë mundësi të parashihet në çfarë mase do të jetë shpërngulja. Jemi në fillim të procesit të liberalizimit, shumë njerëz janë duke provuar fatin për një jetë më të mirë, disa po kthehen, disa ende nuk kanë shkuar, disa po presin për një kohë më të mirë për të shkuar dhe besoj që gjatë 2-3 viteve të ardhshme do të ketë lëvizje para, prapa, dhe atëherë do ta kuptojmë më mirë se cilat do të jenë trendët e këtij migrimi”, thekson ai për ‘Expose’.

Ish- zëvendësministri i arsimit flet edhe për mundësinë që të mbesim pa mësimdhënës dhe largimin e tyre nga Kosova.
“Rrezik ka por duhet ta shpjegojmë një fakt. Ne kemi pasur një zvogëlim të vazhdueshëm të numrit të nxënësve por nuk kemi pasur zvogëlim të numrit të mësimdhënësve. Çka ka ndodh? D.m.th ato klasa ku kanë qenë 25 ose 30 nxënës, vazhdojnë të funksionojnë por tash me 10 apo 15 nxënës, përveç në zonat urbane ku klasat janë të stërngarkuara. Ka kohë që edhe Ministria e Arsimit është marrë me këtë çështje, me këto shkollat e vogla dhe mendoj që nëse vjen deri te zvogëlimi i mësimdhënësve për shkak të shpërnguljes, duhet të bëhet riorganizimi i rrjetit të shkollave aty ku ka mundësi sepse vërtet ka shkolla që funksionojnë me 20-30 nxënës dhe pavarësisht këtij numri ata kërkojnë mësimdhënës që të kenë. Mirëpo, nga ana tjetër, nëse trendi i migrimit të mësimdhënësve është tepër i madh, atëherë mund të vie edhe deri te mungesa. Prandaj edhe kjo situatë duhet të përcillet. Jemi në një fazë ku gjërat nuk janë shumë të sigurta por do të merren vesh pas 2-3 vitesh”, shton Pupovci.

Mirëpo, ai thotë se edhe ata që kanë paga të mira po ikin nga Kosova, për arsye të ndryshme, dhe se pagat nuk janë arsye që mësimdhënësit e braktisin Kosovën.

“Çka të themi për njerëz që janë në biznes, që fitojnë shumë mirë dhe që përsëri largohen nga Kosova. Një numër i njerëzve shkojnë për një jetë më të mirë edhe po ta ketë këtu një pagë shumë të mirë, shkon për një pagë edhe më të mirë. Pastaj, nuk është çdo gjë te paga, është edhe te cilësia e jetës që ta ofron një vend i zhvilluar dhe unë nuk do të kishte thënë që arsyeja e shpërnguljes së mësimdhënësve është paga, sepse po ta kishin këtu 200 ose 300 euro më shumë ata do të qëndronin këtu e nuk do të shkonin në vendet perëndimore.
Unë jam i bindur që shumica e mësimdhënësve që shkojnë nuk do të punojnë atje si mësimdhënës sepse ato shtete kanë, është profesion i rregulluar, duhet ta dinë gjuhën, të kenë kualifikime të atij shteti, por duhet ose ta marrin ndonjë punë tjetër qëndrojnë te familjarët. Prandaj edhe është shumë e thjeshtësuar të thuhet se njerëzit po shkojnë për shkak të pagës. Arsyet e shpërnguljes janë shumë me komplekse, shkojnë njerëzit e rinj që e kanë perspektivën para vetes, lënë punë të mira këtu dhe shkojnë për një jetë më të mirë, andaj duhet shikuar se cilat janë strategjitë më të mira që t’i mbajmë këtu jo vetëm mësimdhënësit por të gjithë”, deklaron Dukagjin Pupovci./Gazeta Blic/