Lajme

Ish-ushtari i UÇK-së që u verbua në luftë: I kam lutur shokët të më vrisnin se s’mund ta duroja dhimbjen

06/21/2021 20:32
nga:Gazeta Blic

Janë bërë 22 vjet që kur Xhevdet Smajli ka humbur të pamurit pasi ra në një minë të vendosur nga ushtarët serbë.

Ai ishte pjesëtar i UÇK-së dhe punonte në sektorin e deminimit, kur gjatë pastrimit të një terreni të vështirë me bar e shkurre, shpërtheu një minë dhe e plagosi atë së bashku me kolegë të tjerë.

Smajli u shpreh se këtë detyrë e kishte marr vullnetarisht sepse ishte nevoja urgjente që të pastrohej terreni, meqë prej tyre po pësonin banorët dhe kolegët e tij të UÇK-së.

“Ne kemi rënë në minën e fundit, se pastaj kanë ardhur edhe njësitet e KFOR-it, por s’kanë gjetur më asnjë”, tha Smajli, duke kujtuar momentin tragjik të këtij shpërthimi.

”Në momentin kur ka eksploduar mina, mua më ka humbur pamja, ndërsa vetëdija jo. Më kujtohet që kam pasur dhimbje të mëdha dhe i kam lutur shokët që të më vrisnin se s’mund ta duroja dhimbjen. Më pas më ka humbur edhe vetëdija, e cila m’u rikthye deri sa më kanë çuar në spitalin e Ferizajt”, rrëfen Smajli për Klan Kosova.

“Nga aty më kanë tansferuar në spital të Prishtinës, ku nuk dihej ende çfarë po ndodhte sepse gjysma ishte me mjekë serbë që refuzonin ta lëshonin spitalin. Aty kam qëndruar dy ditë dhe më pas familjarët më dërguan në Kukës. Nga aty më dërguan në Gjermani, ku u munduan të ma rikthenin formën e kokës dhe të ma shpëtonin jetën, sepse për sytë më nuk kishte shpresë”, tregon ai.

Pavarësisht kësaj, ai shprehet se nuk i ka rënë pishman për vendimin që të dilte në sektorin e deminimit, duke thënë se ishte i përgatitur që fatkeqësitë e tilla mund t’i ndodhnin.

“Vullneti ka qenë i madh dhe kemi qenë të përgatitur për atë punë. Dihet që dikush duhet më i dhënë sytë për t’i fituar gjithë të tjerët”, deklaroi ai.