Ekspertët e sigurisë thonë se gjendja në veri të vendit nuk është stabile, prandaj kërkojnë që të shtohen numri i kontrolleve në atë pjesë. Më 9 maj, një grup i bjeshkatarëve janë sulmuar me armë zjarri në Zubin Potok nga disa persona që dyshohet se janë nga komuniteti serb.
Nuridin Ibishi, ekspert i sigurisë, ka thënë se vazhdimisht në veri ka raste të inskenuara, por që Policia e Kosovës duhet të jetë gjithmonë e gatshme për ndërhyrje, dhe që qytetarët të ndihen të sigurt.
Tutje, Ibishi tha se vendimet e Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës, do të kontribuoj në mbrojtjen e vendit dhe sigurinë globale.
“Po falë asaj që pjesëtarët e FSK-së ato fazat e tranzicionit prej UÇK-së në TMK, edhe tash në FSK, mendoj që kanë arritur, por edhe tranzicioni që ndodhi në vitin 2019, tash e shoh një fazë më të përshpejtuar sidomos kur realisht që krejt zhvillimi i kësaj varet edhe prej financave dhe kur kjo Qeveria ndan mjete atëherë edhe paraqitet një mundësi më e madhe për Kosovën”.
“Po është mirë edhe në aspektin e pajisjes me mjete luftarake, armatim e pajisje por edhe në aspektin infrastrukturor, dhe kjo jep një shpresë. Fatmirësisht kemi një ministër që vjen nga një shtet që është anëtar i NATO-s, dhe mendoj që do t’i shtyjë proceset përpara”, tha Ibishi për EO.
“Në veri çdoherë duhet me prit raste të inskenuara që do ndodhin, janë të rastësishme, por mbetet që Policia e Kosovës me njësitet e veta të specializuara të jetë e gatshme dhe ndërhyn në çdo moment, dhe që janë bindur edhe qytetarët e veriut por edhe të Kosovës që na kemi kapacitete të Policisë së Kosovës që mund ta kryejnë detyrën dhe ta mbajnë rendin e qetësinë. Tash mbetet në politikën që të përkushtohet në çështjet e tjera të harmonizimit të zhvillimit edhe ekonomik por edhe të aspekteve të tjera”.
Ai shprehet optimist që Kosova shumë shpejtë do të fitojë statusin e anëtarësimit në NATO, që sipas tij kjo do të ndihmonte në forcimin e partneritetit me shtete e tjera.
“Ne kemi trupat këshillëdhënës, pra NATO e kemi në kuadër të asaj me një grup të madh ekspertësh ndërkombëtarë që fillojnë t’i implementojnë të dhënat, këto standardet e NATO-s dhe ata kryejnë punën e vet. Por na presim që më në fund këtë vit të filloj partneriteti për paqe, një fazë preliminare para anëtarësimit, që është shumë domethënëse dhe kemi filluar mbarë në këtë proces”.
Edhe ish-komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, thotë se gjendja e sigurisë në Kosovë nuk është stabile.
“Siguria në veri nuk është stabile, ne duhet ta pranojmë një realitet dhe mos t’i gënjejmë qytetarët sepse ne atje kemi shumë pak kontrolle, shumë pak mundësi me intervenua sepse nuk kemi investua sa duhet. Do duhej që të ulemi bashkë me faktorin ndërkombëtar, që të bëhet një strategji se si t’i qaset asaj pjese dhe duhet që ne ta marrim kontrollin atje”, tha ai për EO.
“Rasti i fundit tregon që qytetarët nuk janë të sigurt të lëvizin atje, p’e shohim që një prej elementeve në veri është se atje nuk paguhet asgjë, nuk respektohet shteti i Kosovës, dhe 21 vite pas luftës kjo është e papranueshme”.
Më tëj, Kastrati thotë se mënyra që qytetarët të jenë të sigurt dhe institucionet të ndihen të kompletuar, është investimi në armatime.
“Nëse ne e bëjmë ushtrinë të fuqishme me ato pajisjet, dhe armatimet e parapara me ligj, atëherë edhe qytetarët do të jenë më të sigurt, edhe institucionet do të jenë më të kompletuara sepse e kanë në dorë gjithë atë aparatin e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë. Por unë them fillimisht që do të jenë të gatshëm gradualisht t’i marrin kompetencat nga faktori ndërkombëtar për të mbrojtur kufijtë tonë”, theksoi ai.
Sipas tij një prej fushave më të rëndësishme është forcimi i Ushtrisë, sepse nga kjo varet edhe prurja e investimeve të huaja në Kosovë.
“Një prej fushave të sigurta dhe të rëndësishme që Kosova do ta ketë me forcimin e ushtrisë është edhe prurja e investimeve të huaja këtu në Kosovë, sepse ata nëse nuk e shohin një siguri stabile brenda Kosovës as investimet e huaja nuk vinë në Kosovë, dhe për këtë pres dhe gjithmonë kam rekomanduar që Qeveria e Kosovës do duhej ta ketë prioritet sigurinë dhe mbrojtjen. Sepse pa siguri dhe mbrojtje nuk ka as siguri dhe as shëndetësi dhe arsim”, përfundoi ai.