Sporti

Ish trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku komenton sezonin e ish skuadrës së tij: Drenica duhej të ishte në Evropë e jo të bie nga Superliga, janë një ekip i dorëzuar

05/05/2023 20:50
nga:E K

Drenica është pothuajse e rënë nga Superliga e Kosovës.

Pavarësisht se ka ende gjasa matematikore për mbijetes, Drenica është me ‘një këmbë’ në Ligën e Parë të Kosovës, pasi është 11 pikë prapa vendit të parafundit që është Ferizaj dhe 16 pikë larg vendit të 7’të që e zë Malisheva.

Ish trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ ku ka komentuar sezonin e ish skuadrës së tij duke thënë që është për të ardhur keq se në çfarë pozite është Drenica.

Sipas tij fajtorët kryesorë për këtë gjendje janë kryesia e klubit dhe ndërhyrja e politikës për përfitime të individëve të caktuar.

Natyrisht këtë pyetje nuk kisha dashtë me dëgju kurrë për klubin e Drenicës, por jemi këtu ku jemi. Deshtëm apo nuk deshtëm duhet ta pranojmë realitetin. Drenica ende nuk ka rënë, por realisht po themi që veç ka rënë pasi është një ekip i dorëzuar. Menaxhimi i keq i klubit dhe ardhja në krye e disa personave në ekip, sidomos pjesës sportive ka bërë që të vie deri në këtë situatë. Për disa persona ka qenë më e rëndësishme interesi personal sesa ai i klubit. Gjithmonë e kam një thënie që e përdori ‘klubi mbi të gjithë’, por këtë vit te Drenica ka qenë e kundërta. Kjo është e dhimbshme për mua, për tifozë, për futbollistët, për trajnerët që kanë sakrifikuar për klubin. Klubi ka qenë edhe më parë në pozita të pa lakmueshme, por gjithmonë kemi gjetë forcë për të mbetur në Superligë, pavarësisht se kemi punuar në kushte jo shumë të mira. Mendoj që klubi i Drenicës, para dy viteve kur unë u ktheva me një grup të caktuar të trajnerëve dhe sportistëve kemi arritë që të konsolidojmë skuadrën, kemi nis një kampionat shumë të mirë, kemi pas një grup të lojtarëve që kanë marrë rezultate të mira. Drenica në këtë edicion ka pasur nevojë edhe për 3-4 futbollistë. Drenica sivjet është dashtë që të jetë në Evropë e jo të bie nga Superliga“, tha Lushtaku për ‘GazetaBlic Sport’.