Lajme

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës dhe tre zyrtarët e tjerë, lirohen nga akuzat për korrupsion

05/07/2024 15:00
nga:G C

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime në tenderin për Autostradën e Gjilanit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u bë të hënën nga gjykatësi, Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Konxheli, të akuzuarit e lartcekur lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se, fillimisht Prokuroria e ka bazuar aktakuzën në ekspertizën e ekspertit Fehmi Zena, por, më vonë palët kanë propozuar dhe dorëzuar gjykatës edhe një ekspertize të dytë.

“Gjykata më pas ‘ex officio’ ka caktuar një superekspertizë të përbërë prej tre eksperteve të pavarur, e cili është administruar. Superekspertiza ka nxjerre se operatori ekonomik “Gjoka Construstion” ka plotësuar kushtet, pavarësisht që komisioni rivlerësues e ka shpalle të jopërgjegjshëm”, thuhet në aktgjykim.