Ish-prokurori special, Sylë Hoxha, i ka mohuar dyshimet për marrëveshje gojore mes tij dhe ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, për të përfshirë dy agjentë fiktivë që të dëshmojnë në gjykatë.
“Kurrfarë marrëveshje nuk kemi bo me askënd, e kam zhvilluar procedurën, janë shkresat e lëndës, janë procesverbalet dhe vendimet”, tha ish-kryeprokurori.
“Këto punë nuk bëhen me marrëveshje as nuk bëhen nën kërcënimin e askujt”, u shpreh ai për Klan Kosova.
Sot u raportua se ish-prokurori special, Sylë Hoxha, në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë fiktiv që të dëshmojnë në gjykatë, e që më pas dëshmitë e tyre janë përdorur nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, për të akuzuar Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën për lidhje me organizatën e shpallur terroriste “Syri i Popullit”.
Lidhur me këto pretendime të raportuara në media ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar që ish-prokurori special Sylë Hoxha të thirret në përgjegjësi penale.
Ministrja Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pas skandalit të Sylë Hoxhës kundrejt Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, le ta kujtojmë edhe faktin që Sylë Hoxha ishte prokuror edhe në rastin e Astrit Deharit”.