Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, në një intervistë për kanalin televiziv, N1, që është filiale e kanalit televiziv amerikan CNN në Ballkan, ka folur për situatën aktuale në Ukrainë, pas agresionit nga ana e Rusisë.
Poroshenko porositi Presidentin e Rusisë, Vladimir Putini që “të studiojë me kujdes rastin e e Slobodan Millosheviqit, sepse ai, sipas tij, do të ulet në bankën e të akuzuarve”.
“Kjo nuk është një luftë kundër Ukrainës, por kundër gjithë Perëndimit, kundër vlerave tona. Nuk ka asnjë komb tjetër përveç Ukrainës që dëshiron paqen, ne mbështesim të gjitha përpjekjet diplomatike dhe tani po demonstrojmë unitet. Ne nuk kemi më qeveri dhe opozitë, jemi tani të gjithë të bashkuar dhe të gjithë po mbrojmë popullin tonë. Ne mbështesim zgjidhjet në lidhje me armëpushimin, tërheqjen e rusëve, por kam përvoja të këqija nga pesë vjet negociata me Putinin. Putinit nuk mund t’i besohet, ai kurrë nuk e ka mbajtur premtimin e tij. Ai mendon se mund të vazhdojë sulmet, ai shkon aq larg sa i lejojmë ne. Ai po shkon më tej tani, nuk do të ndalet në Ukrainë, por do të vazhdojë. Ai po lufton për lidhjen mes Krimesë dhe Donbasit. Askush nuk do ta ndalojë atë tani nëse ne humbim”, tha Poroshenko.
Në fund, ai tha se Ukraina ka një përgjigje për Putinin dhe i dërgoi atij edhe një porosi personale.
“Ne ukrainasit kemi vetëm një përgjigje për Putinin: Ikni nga Ukraina! Trupat ruse, dilni nga Ukraina! Vendi i tij është në gjykatën e Hagës si kriminel lufte. Unë nuk shoh ndonjë version tjetër të zgjidhjes së kësaj krize. Porosia ime personale për Putinin: Studioni me kujdes rastin e Millosheviqit, do të uleni në të njëjtën bankë në të cilin ka qenë i ulur ai!”, tha Poroshenko.


